Lajmet e fundit
Jacobson: Kur VV ndryshon taktikat e bllokimit, atëherë do të takohem me ta!

Jacobson: Kur VV ndryshon taktikat e bllokimit, atëherë do të takohem me ta!

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, në një intervistë për emisionin “Argument Plus” në RTV21, thotë se zgjedhjet e përgjithshme duhet të organizohen gjashtë muaj pasi të ketë përfunduar reforma zgjedhore.

“Do të ishte gabim i madh për Kosovën që të mbajë zgjedhje të përgjithshme pa reformë zgjedhore.BE-ja ka thënë se nuk do të dërgojë vëzhgues nëse këto zgjedhje do të mbahen pa reformë zgjedhore, në kohën e caktuar gjashtë muaj para zgjedhjeve. Kemi dëgjuar të thuhet se zgjedhjet do të mbahen në qershor. Nëse është kështu, atëherë reforma duhet të përfundojë më së largu deri në fund të dhjetorit”, ka thënë ambasadorja amerikane.

Duke folur për privatizimin e PTK-së, ajo u shpreh se ky proces nuk guxon të dështojë pasi do të ishte sinjal i keq për të ardhmen e Kosovës.

“I takon Kosovës të vendosë. Kuvendit, Qeverisë. Nuk jam këtu të udhëzojë, por mund të them se nëse dështon ky proces do të jetë një shenjë shumë e keqe për Kosovën dhe rrugëtimin e saj përpara”.

Jacobson tha se do të takohet me zyrtarë të “Vetëvendosjes” atëherë kur kjo lëvizje të ndryshojë qasjen në raport me punën e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera.

“Mendoj se nëse Vetëvendosje i tërheqë veprimet për të bllokuar Parlamentin ose fjalën e kryetarit të Kuvendit. Nëse ata tërhiqen nga këto taktika, unë do të jem e lumtur të takohem me ta”, shtoi Jacobson, e cila shtonë se nuk është diskutuar asnjëherë që pas refuzimit të Shqipërisë për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, të jetë opsion Kosova si territor për shkatërrimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.