Mbrojtja e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ende vazhdon të mbetet në nivelin jo të kënaqshëm, pavarësisht se korniza ligjore në Kosovë është e ndërtuar në bazë të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.
Kështu u tha në tryezën e ekspertëve të organizuar nga Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët”, me temën “Kërko Drejtësi”.
Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson në këtë tryezë ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe fer, kur Kosova gjendet vetëm edhe katër ditë para zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Ajo tha se zgjedhjet e lira janë pjesë e drejtësisë, derisa ka kërkuar denoncim për çdo mashtrim të mundshëm në këto zgjedhje.
Ajo bëri të ditur se është takuar me përfaqësuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, nga të cilët ka marr premtime se ndaj keqpërdoruesve të votave nuk do të ketë “mëshirë”.
“Duke marrë parasysh se jemi afër zgjedhjeve dua t’iu rikujtojë se e drejta për zgjedhje të lira dhe fer gjithashtu është pjesë e drejtësisë. Kam pasur rastin që të flas me ministrinë e Punëve të Brendshme me kryeprokurorin e shtetit rreth përpjekjeve të tyre për të hetuar dhe për t’i ndjekur të gjitha rastet e mashtrimit gjatë zgjedhjeve”, ka thënë ajo.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u shpreh se duhet që të gjithë, si shoqëria civile, si institucionet e vendit, të bëjnë gjithçka që është e mundur që drejtësia të jetë në interesin e të gjithëve, raporton KosovaPress.
“Pushteti gjyqësor në Kosovë ushtrohet nga gjykatat dhe ai është unik dhe i pavarur, i drejtë i paanshëm që siguron qasje të barabartë në Gjykata. Por, nga kjo që e shkruajmë në Kushtetutë dhe në ligje deri te realizimi i saj kanë një distancë të madhe, por megjithatë e mira është që në letër kemi vendosur standardet se si do të duhej të ishte sistemi i drejtësisë, se si do të duhej të zbatohej drejtësia. Zbatimi çdo kund është më i vështirë, në shoqëritë në tranzicion zbatimi është pak më i vështirë dhe sigurisht kërkon kohë”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, Hilmi Jashari, menaxher ligjor i Programit për të Drejtat Civile ka thënë se nga Kuvendi i Kosovës miratohet brenda vitit mbi 100 ligje, por sipas tij, shumë prej tyre nuk janë të harmonizuara.
Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët është një lëvizje që sjell së bashku qytetarët dhe grupet e shoqërisë civile në Kosovë që të punojnë për reformën në sistemin e drejtësisë dhe për të promovuar ndryshim përmes avokimit publik.