Presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar në lidhje me deklarimet e sotme të zëvendëskryeministrit Kujtim Shala ka thënë se e para e vendit i kishte përcjell porositë e SHBA-së të cilët i kishin thënë se nuk e duan Vetëvendosjen në qeverisje.
Jahjaga, në rrjetin social Facebook ka thënë se këto deklarime janë të pavërteta dhe të pabaza.
“Deklarata e sotme e zëvendëskryeministrit Kujtim Shala, se gjatë periudhës së ngërçit të vitit 2014, Presidentja ka ndikuar se cilat parti të jenë pjesë e qeverisë së tanishme, janë absolutisht të pavërteta dhe të pabaza. Koalicionet qeverisëse i krijojnë partitë dhe partitë vendosin se kur i përfundojnë ato. Partitë duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe jo të përfshijnë Presidentin e vendit dhe partnerët ndërkombëtar në vend, në debate të brendshme politike”, ka thënë mes tjerash Jahjaga.
Presidentja Jahjaga thotë të ketë ndërmjetësuar ndërmjet partive në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve, në respektim të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kritereve që burojnë nga to.
“Presidentja në asnjë takim me liderët e partive politike nuk ka rekomanduar apo shtyrë një opsion të caktuar politik”, ka theksuar më tej ajo.
“Është për keqardhje që një zyrtar i lartë institucional, i cili nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për tejkalimin e ngërçit, bën deklarata të pasakta për qëllime politike, në momentin kur qytetarët presin nga institucionet, përfshirë dikasterin që z. Shala udhëheqë, të tregojnë lidership dhe të gjejnë zgjidhje urgjente për çështjet e interesit thelbësor për vendin”, ka përfunduar Jahjaga.