Dy taborët pozitë – opozitë vazhdojnë të qëndrojnë të barrikaduara në qëndrimet e tyre. E në krejt ketë mes, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka kohë që ka nisur një raund të takimeve më liderët e partive politike.
Përkundër faktit që ftesa e saj për një tryezë të përbashkët është refuzuar nga ana e partive opozitare, e para e vendit vazhdon të besojë se vetëm dialogu politik ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës, është rrugëdalja për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet vendi.
Presidentja Jahjaga ka konfirmuar për Tribuna Channel se do të vazhdojë t’i takojë udhëheqësit e subjekteve politike për t’i adresuar mospajtimet.
E para e vendit ka folur edhe për përpjekjen e saj për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur më situatën e krijuar në vend.
“Jam e angazhuar në tejkalimin e situatës së krijuar në vend duke ftuar të gjitha subjektet politike për të rivendosur dialogun politik brenda institucioneve të Kosovës dhe për të kërkuar zgjidhje institucionale për të gjitha mosmarrëveshjet”, ka deklaruar Jahjaga.