Presidentja Atifete Jahjaga, në Konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit, ka përshëndetur punën e institucionit të akuzës.
Jahjaga ka theksuar se reformat nëpër të cilat kemi kaluar dhe po kalojmë janë të vështira, por njëkohësisht të domosdoshme, si rrugë e vetme drejt zhvillimit, njofton Klan Kosova.
“Jeni ju, në vijën e parë të shtetit ligjor”.
“Ne kemi kërkuar reforma në shoqëri, të dhimbshme, sfiduese, aspak të lehta, por të domosdoshme për ta bërë Kosovën vend gjithpërfshirës, vend të barabartë për të gjithë. Kjo është garanca e zhvillimit”.
Ajo ka kërkuar që prokurorët të jenë në vijën e parë të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, që po dëmtojnë shtetin e Kosovës.
“Askush nuk mund të vihet mbi ligjin, apo të amnistohet për shkelje të tij”.
“Jemi lodhur nga shkalla e lartë e korrupsionit dhe kemi dëmtuar shtetin me mosndëshkimin e aferave korruptive”.
Jahjaga e ka shfrytëzuar konferencën edhe për t’u bërë thirrje liderëve të partive politike që të dialogojnë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në vend.
“Duhet dialog dhe marrëveshje. Dialog i brendshëm për të zgjidhur çështjet që nxisin mosmarrëveshje”.
“Dialog pa paragjykime, ndërmjet njerëzve që dikur kanë qëndruar së bashku për ta bërë luftën dhe që sot duhet ta ruajnë paqen”.
“Pra na duhet që të gjithë së bashku të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje, sepse shtetin nuk mund ta sfidojmë për çdo ditë dhe sepse nuk mund të rrënojmë institucionet e vendit, besimin tek të cilat duhet me shumë mund ta rikthejmë tek qytetarët”.