Lajmet e fundit
Jahjaga: Gjermania e bashkoi Europën

Jahjaga: Gjermania e bashkoi Europën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në shënimin e Ditës së Unionit Gjerman dhe me këtë rast ajo ia uroi ambasadores së Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, dhe përmes saj edhe popullit gjerman, përvjetorin e 25 të bashkimit.
“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal më lejoni që t’ju uroj ju dhe popullit gjerman 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman”, tha Jahjaga.

“Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjik dhe fizik. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi gjeneratat të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë”.

“Njëzet e pesë vjet më vonë, ky unitet historik mbetet po aq i rëndësishëm. Sot më shumë se kurrë na duhet një vizion i thyerjes së kufijve dhe shembjes së mureve. Na duhet që t’i rikthejmë idetë që bashkojnë popujt mbi parimet e demokracisë dhe bashkëpunimit. Sepse, puna jonë e përbashkët, për një Evropë të bashkuar dhe në paqe, nuk ka përfunduar. E kjo punë e papërfunduar ndihet në Kosovë më shumë se kudo tjetër”, tha presidentja.

“Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse. Atëherë kur hapët dyert për refugjatët që po iknin nga lufta dhe skamja, dhe tash kur po i përkrahni institucionet e Kosovës në vënien e themeleve për një ekonomi stabile të Kosovës”.

“I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimore të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjell BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate”, tha ajo.

“E kam parasysh që ne na presin shumë obligime të papërmbushura ende. Por, ne jemi të përkushtuar që së bashku me partnerët tanë, me ju, ta jetësojmë vizionin për Kosovën e sundimit të ligjit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe më së shumti vendit me perspektivë të qartë, ku qytetarët e tij shohin të ardhme”, tha Presidentja Jahjaga, duke falënderuar Gjermaninë për praninë e fuqishme në Kosovë, partneritetin dhe miqësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.