Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dekretuar sot Gresa Caka-Nimanin dhe Selvete Gërxhaliun si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese. “Bazuar në nenin 84, pikat 4 dhe 19 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenin 7 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për propozimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ka dekretuar sot emërimin e Gresa Caka-Nimani dhe Selvete Gërxhaliu, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e Presidencës. “Gjyqtaret Gresa Caka-Nimani dhe Selvete Gërxhaliu dhanë betimin para Presidentes Jahjaga. Në ceremoninë e betimit ishte e pranishme edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi”.