Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila e njoftoi presidenten Jahjaga për procesin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Daka tha procesi i zgjedhjeve të ditës së diel ka shkuar mirë, përveç disa problemeve në veri të Republikës së Kosovës.
Ajo tha se KQZ ka vendosur të përsërisë zgjedhjet në tre qendra votimi në Mitrovicë të veriut.
Daka, gjithashtu e informoi presidenten se procesi i numërimit të votave është duke rrjedhur mirë dhe pa probleme. Daka tha se KQZ është në proces të përgatitjes për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave në disa komuna të vendit.
Ndërkaq, presidentja Atifete Jahjaga theksoi se KQZ dhe institucionet e tjera e kanë kryer me sukses punën e tyre dhe i shprehu mbështetjen për angazhim që edhe raundi tjetër i zgjedhjeve, ai i balotazhit në disa komuna, të ketë rrjedhë normale, që të sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike.