Lajmet e fundit
Jahjaga: Obligim i shoqërisë, të mos lejohet viktimizimi i askujt

Jahjaga: Obligim i shoqërisë, të mos lejohet viktimizimi i askujt

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga deklaroi të hënën se në shumë raste viktimat e krimit janë pre e dhunës dhe torturës së vazhdueshme dhe jetojnë duke marrë përsipër fajin e dhunës së ushtruar mbi ta. Ajo theksoi se duhet të ndryshohet njëherë e përgjithmonë ky realitet.

Jahjaga këto komente i bëri në ceremoninë e shënimit të Javës për të drejtat e viktimave të krimit.

“Duhet vlerësuar tashmë që kjo javë është java e gatishmërisë dhe përkushtimit tonë institucional e qytetar për të ngrit zërin e vetëdijesimit për të drejtat e viktimave të krimit, çfarëdo lloj krimi qoftë ai. Është javë e respektit, avokimit dhe ndërtimit të sistemit të drejtësisë ku viktimat kanë qasje të plotë në përputhje me nevojat që kanë, që parandalojnë viktimizimin e tyre dhe mundësojnë ripjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri”, tha presidentja.

Ajo deklaroi se është obligimin i institucioneve dhe i tërë shoqërisë për të mos lejuar viktimizimin e një pjesë tonën, fëmijëve tanë, grave, të moshuarve apo të kujtdo tjetër.

“Duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur komunitetin tonë ndaj çdo rreziku që mund t’ju kanoset anëtarëve të saj, për të mos rënë pre e krimit”, tha ndër të tjera, Jahjaga.

“Duhet të vazhdojmë t’i mbrojmë viktimat e krimit, duke dëshmuar që ky vend nuk njeh të fort e të dobët, por që në këtë vend të gjitha janë të barabartë para ligjit dhe mundësive që i ofrohen. Kjo përpjekje e jona do të jetë e suksesshme me bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile e çdo qytetari, dhe me ndërgjegjësim tonë të gjithëmbarshëm”, tha presidentja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.