Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje për dialog ndërmjet liderëve politikë, dhe vazhdon të shqyrtojë hapat e ardhshëm për zgjidhje të situatës politike në vend.
Ajo ende nuk i ka bërë të njohura për publikun veprimet e saj të mëtutjeshme karshi obligimit të marrë për të lehtësuar diskutimet me liderët e partive politike, të cilët nuk po gjejnë pajtim për të zhbllokuar funksionimin normalisht të Kuvendit të Kosovës që nga fillimi i sesionit vjeshtor.
Presidenca nuk ka sqaruar këtë çështje, përkundër një përgjigje të Safet Zejnullahut nga departamenti i informimit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vazhdon të thërrasë dhe të angazhohet për të lehtësuar dialogun mes subjekteve politike për të dalë nga gjendja politike e krijuar në vend. Krahas këtij angazhimi, Presidentja Jahjaga është duke i shqyrtuar hapat e saj të ardhshëm brenda kompetencave dhe rolit të saj kushtetues me qëllim të garantimit të funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”, është përgjigjur Zejnullahu për Gazetën Tribuna.