Për herë të parë në një studio televizive shqiptare, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka rrëfyer në studion e “Top Show” në Top Channel, përballë gazetarit Alban Dudushi, prapaskenat e ngjitjes së saj në Presidencë, paragjykimet me të cilat përballet në zyrën e kreut më të lartë të shtetit vetëm sepse është grua, betejat e saj për mbrojtjen e grave të dhunuara, ISIS-i, por edhe se ku do ta shikojmë atë pas përfundimit të mandatit të Presidentes, në prill të vitit 2016.
Jahjaga i ka shpjeguar gazetarit Alban Dudushi edhe arsyet e kësaj vizite të vonuar në Shqipëri, por nuk ngurron të tregojë të vërtetën edhe për prapaskenat e bashkëpunimit të munguar me Serbinë, në këtë valë eksodi që përfshiu Kosovën në fund të vitit që lamë pas, por dhe në fillim të këtij viti.
Alban Dudushi: Për herë të parë për një vizitë shtetërore, për herë të parë në një studio televizive shqiptare, është Presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga. Mirëserdhët! Në fakt do t’ju pyes edhe sesi shkoi vizita juaj në Shqipëri, por ajo që më vjen ndërmend së pari është, përse kaq vonë një vizitë shtetërore?
Presidentja Atifete Jahjaga: Alban, meqë është vizita e parë që bëj dhe është një ndër intervistat e para që jap në studiot e televizionit tuaj, së pari dua t’ju përshëndes juve, të gjithë stafin realizues të televizionit tuaj dhe të gjithë shikuesit shqiptarë, kudo që janë. Unë, kur vij në Shqipëri, ndihem si në shtëpinë time. Kam ardhur në Shqipëri edhe herë të tjera, sepse jam adhuruese e madhe e bregdetit shqiptar. Të gjitha pushimet e mia verore i kam kaluar këtu.
Alban Dudushi: Edhe këtë vit?
Presidentja Atifete Jahjaga: Edhe këtë vit, edhe pse ishte pushim shumë i shkurtër, isha sërish këtu.
Alban Dudushi: Ku?
Presidentja Atifete Jahjaga: Isha në Durrës.
Alban Dudushi: Aty ku shkojnë pjesa më e madhe e kosovarëve?
Presidentja Atifete Jahjaga: Faktikisht isha në skaj të Durrësit, kështu që pata rastin të pushoj disa ditë. Unë kam pasur takime me Presidentin Nishani, me ish-Presidentin Topi, me zyrtarë të lartë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, si këtu në Shqipëri, edhe jashtë saj. Aspektet e vizitës zyrtare janë çështje, të cilat harmonizohen në bazë të protokolleve të kabineteve të dy presidencave tona. Mirëpo, e them edhe njëherë, që unë në Shqipëri ndihem si në shtëpinë time. Edhe pse kjo është vizita ime e parë shtetërore, unë vij shpesh këtu dhe do të vazhdoj të vij sërish.
Alban Dudushi: Duket se, meqë ndiheni si në shtëpinë tuaj, nuk e keni ndierë nevojën të bëni një vizitë shtetërore?
Presidentja Atifete Jahjaga: Jo, absolutisht nuk është ajo.
Alban Dudushi: Ama, tani në fund të mandatit po e bëni këtë vizitë?
Presidentja Atifete Jahjaga: Jua thashë edhe më herët, që vizitat zyrtare janë rezultat i punës së përafërt, të ftesave zyrtare dhe protokollove, që bëhen mes presidentëve dhe kabineteve presidenciale, e kjo është ndonjëherë edhe jashtë axhendave tona. Por, këto janë çështje protokollare.
Alban Dudushi: Po këtë herë, çfarë kishte të frytshme kjo vizitë shtetërore?
Presidentja Atifete Jahjaga: Axhenda ishte jashtëzakonisht e ngarkuar. Fillova me një takim shumë të ngrohtë, të përzemërt me Presidentin Nishani. Pastaj vazhduan takimet me kryetarin e Kuvendit e kryeministrin, ku u diskutuan çështje të përbashkëta mes vendeve tona. U diskutuan edhe disa çështje të përmirësimit të bashkëpunimit mes nesh. Përveç kabinetit tim, në delegacion kam marrë edhe dy ministra të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës.
Alban Dudushi: Ministrin e Bujqësisë dhe…?
Presidentja Atifete Jahjaga: Ishte ministri i Bujqësisë dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që të ofrojmë mundësi pak më të mëdha, që të diskutojmë disa gjëra më në thelb dhe të zhvillojmë disa çështje më hollësisht mes nesh.
Alban Dudushi: Në këto fusha çalojnë më shumë punët, meqë keni marrë këto dy ministra me vete? Flas në nivel të bashkëpunimit mes dy vendeve tona… Apo ka shumë gjëra për t’u përmirësuar? Për shembull, gjëra të aspektit kulturor; televizionet, këngëtarët, skena e estradës janë unifikuar në një lloj kuptimi. Ekonomia duket se është ajo, që çalon më shumë?
Presidentja Atifete Jahjaga: Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të tilla, që shkojnë përtej këtij kuptimi tradicional të shteteve. Të gjithë ne e kuptojmë kontekstin historik e kulturor të gjakut, të gjuhës e të historisë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë forcuar pothuajse në të gjitha fushat. Mendoj se, këto vitet e fundit kemi shënuar progres të konsiderueshëm, sa i përket avancimit të bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Tani kemi bashkëpunim politik, ekonomik, tregtar, por edhe të shkëmbimit kulturor. Unë jam e përkushtuar, si Presidente e Kosovës, që të thellojmë këtë bashkëpunim. Juve iu referuat edhe marrëveshjeve mes dy qeverive dhe ne kemi një numër të madh marrëveshjesh. Vetëm në këto dy mbledhjet e fundit, që janë mbajtur midis dy kabineteve qeveritare, janë nënshkruar diku te 12 marrëveshje, të cilat kanë pasur si fokus të veçantë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Mendoj se duhet ta vlerësojmë më shumë bashkëpunimin në aspektin e zbatimit konkret të këtyre marrëveshjeve.
Alban Dudushi: Në fakt, duket sikur janë më shumë deklarative, sesa është bërë punë në terren. Unë kam pasur rastin të jem herë pas here në Kosovë dhe shqetësimet kryesore janë: sa ndërmarrje të Kosovës kemi në Shqipëri, sa ndërmarrje të Shqipërisë kemi në Kosovë, sa vëllim shkëmbimi tregtar kemi mes dy vendeve… Lë shumë për të dëshiruar apo jo?
Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që pajtohem me ju, sepse ne duhet të shohim më shumë rezultate konkrete në implementimin e këtyre marrëveshjeve. Për këtë arsye, në këtë vizitë shtetërore unë kam sjellë dy ministra, në mënyrë që të diskutojmë konkretisht çështjet dhe të thellojmë bashkëpunimin. Të shohim ku janë problemet, ku janë vështirësitë dhe çfarë duhet të përmirësohet, në mënyrë që të kemi një intensifikim të gjerë. Këtë e bëjmë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe ndërtimin e mirëqenies. Shoh që kemi shumë hapësirë për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes dy vendeve tona. Jo vetëm në këto fusha që ne përmendëm, por të marrim – për shembull, – ne ende nuk kemi ndonjë projekt të përbashkët substancial kulturor. Përkundër vullnetit dhe përkundër zotimeve që kemi dhënë, por edhe përkundër vullnetit të elitës kulturore të të dyja vendeve tona, ne ende nuk kemi pasur një projekt substancial kulturor. Pra, duhet të fillojmë me kthimin e simbolikave që përçojnë një mesazh të madh për qytetarët dhe mbarë rajonin. Ju përmendët edhe aspektin e investimeve. Të gjithë e dimë se ne i dëshirojmë. Duke filluar që nga unë, por edhe çdo qytetar i Kosovës dëshiron të shohë më shumë investime nga Shqipëria në Kosovë, të shohim më shumë investime nga Kosova në Shqipëri. Duhet ta pranojmë se, biznesmenët tanë kanë probleme të shumta, të natyrave të ndryshme, qofshin edhe burokratike, të cilat ne duhet t’ua lehtësojmë. Duhet të mënjanojmë këto probleme dhe duhet t’ua lehtësojmë jetën atyre, sepse përmes lehtësimit të jetës së biznesit, ne do t’ua lehtësojmë jetën edhe qytetarëve tanë.
Alban Dudushi: Kjo, le të themi që ishte edhe një pjesë e rëndësishme, që Ju diskutuat gjatë vizitës në Tiranë, duke pasur parasysh edhe faktin që kishit me vete ministrat. Çështje të tjera, që u diskutuan përveç ekonomisë…?
Presidentja Atifete Jahjaga: Patjetër që, në fokus të kësaj vizite ishte edhe çështja e përkrahjes së madhe nga Shqipëria. Unë shfrytëzova rastin që, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të falënderoj të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe shqiptarët për një përkrahje të vazhdueshme, që kanë dhënë për Kosovën dhe popullin e Kosovës në tërësi. U bisedua çështja e së ardhmes së Republikës së Kosovës, çështje të fuqizimit të rendit dhe të ligjit, sepse prioritet, si për Kosovën edhe për Shqipërinë, janë fuqizimi i rendit dhe qetësisë, lufta efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe pse kemi bashkëpunim të mirë, shoh ende hapësirë për fuqizimin e këtij bashkëpunimi, sepse përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive negative është bashkëpunimi i mirë.
Alban Dudushi: Le të kthehemi pak pas në kohë, znj. Presidente. Pikërisht në periudhën kur Ju u zgjodhët Presidente e Republikës së Kosovës. Ishte një lajm, për disa arsye. Ju ishit një personazh jo i përfshirë në skenën politike të Kosovës, ishit një grua dhe jeni ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në Ballkan. Por, kurioze ishte edhe mënyra sesi Ju erdhët në Presidencë. Cili ishte kumbari juaj? Cilat ishin rrethanat, kur iu erdhi propozimi për t’u bërë Presidente?
Presidentja Atifete Jahjaga: Ju e dini që në vitin 2011, Kosova kalonte fazën e një krize të thellë politike. Kishte dhënë dorëheqjen një President, pastaj ishte zgjedhur Presidenti i ri në vend. Gjykata Kushtetuese kishte marrë një vendim, që procedura e zgjedhjes së tij nuk ishte respektuar dhe, në atë kohë, 3 partitë kryesore në vend kishin dalë me qëndrimin për të përkrahur kandidatin konsensual për President të vendit. Unë nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, por mua më është ofruar detyra që t’i shërbej vendit në atë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën, për qytetarët e saj, gjatë një krize të thellë politike, kur ishin sfiduar institucionet e vendit dhe kur besimi i qytetarëve tanë në to sa vinte e rrënohej. Unë them se, nuk ka nder dhe privilegj më të madh, sesa t’i shërbesh vendit tënd. Nuk ka nder dhe privilegj më të madh, sesa të jesh përfaqësues i vendit tënd në një moment të rëndësishëm dhe vendimtar, siç ishte Kosova në atë kohë, në një moment vendimtar për shtetin tonë dhe qytetarët tanë.
Alban Dudushi: Kështu që, Ju nuk patët dilema për ta pranuar propozimin?
Presidentja Atifete Jahjaga: Askush dhe asnjëherë, jo vetëm unë, por asnjë qytetar nuk duhet të ketë dilema, kurdo që duhet të shërbesh për vendin dhe qytetarët e tij. Sepse, në atë moment nuk është në pikëpyetje vetvetja, por janë në pikëpyetje vetë shteti dhe qytetarët e saj.
Alban Dudushi: Ju po e ndiqnit në atë periudhë, të gjithë atë “tollovi” politike që kishte ndodhur? Kishte dhënë dorëheqjen Presidenti Sejdiu, Qeveria ishte e paqëndrueshme dhe kaloi në zgjedhje të parakohshme. Ishte prapë një situatë, kur nuk po gjendej konsensusi për Presidentin. Ju, në atë kohë, ishit nëndrejtoreshë e Policisë së Kosovës, apo jo? E ndiqnit politikën? Ishit e interesuar? Apo ishit e fokusuar te detyra juaj?
Presidentja Atifete Jahjaga: Natyrisht, sikurse çdo qytetar i Kosovës, edhe në atë post kam përcjellë zhvillimet politike në vend, gjendjen dhe situatën në të cilat gjendeshin institucionet e vendit. Në atë kohë isha në detyrën që ju përmendët, që kishte të bënte me ofrimin e kapaciteteve të mia në rritjen e vazhdueshme dhe profesionale të institucionit të Policisë së Kosovës, që ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme. Dhe, të them të drejtën, asnjëherë nuk kam pasur as këmbënguljen, as qëllimin që të bëhem pjesë e spektrit politik.
Alban Dudushi: Pra, juve ju erdhi si “rrufe në qiell të pastër”?
Presidentja Atifete Jahjaga: Mund të kuptohet edhe kështu, për rrethanat që kanë qenë në atë kohë.
Alban Dudushi: Është sekrete, apo mund të na e thoni se, cili ishte ai që Ju propozoi? Kujt i vajti mendja te Ju?
Presidentja Atifete Jahjaga: Ende nuk ka ardhur koha, por një ditë do të shpalosen në kujtimet e mia, që unë do t’i shkruaj patjetër në të ardhmen.
Alban Dudushi: Shkollimi juaj ka qenë në Prishtinë, ku Ju keni mbaruar Fakultetin Juridik, por pastaj keni ndjekur trajnime e specializime në SHBA. Shumë vetë thonë se, ishin pikërisht amerikanët, që Ju morën dhe Ju sollën këtu…?
Presidentja Atifete Jahjaga: E them përsëri, që këto çështje nuk janë për t’u zbuluar dhe diskutuar tani, por do të vijë një kohë, kur të gjitha këto sekrete do t’i vendos në kujtimet e mia, kurdo që të kem kohë, pas përfundimit të mandatit tim kushtetues si Presidente e vendit. Ndoshta për dikë do të jenë befasuese, e për dikë tjetër jo të tilla.
Alban Dudushi: Ndërkohë, do t’Ju pyes edhe se çfarë do të bëni, pasi të përfundojë mandati. E theksova edhe në fillim, duke qenë ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor, natyrisht një person që është në krye të shtetit, ashtu siç ka lavdërime, ka edhe kritika. Por, a keni ndierë Ju nota seksizmi në kritikat ndaj jush? E kam fjalën për pozicionim ndaj jush për shkak të të qenit grua dhe jo për shkak të asaj se çfarë bëni?
Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që po! Unë kam thyer shumë barriera gjatë karrierës sime. Kam qenë gruaja e parë, që ka pasur pozitën më të lartë në kuadër të një institucioni, siç ka qenë Policia e Kosovës, që – sikurse ka qenë gjithmonë, – kuptohet si një profesion i rezervuar për meshkujt. Me zgjedhjen time si Presidente e Kosovës, unë kam bërë histori jo vetëm për vendin tim, por edhe për të gjithë Ballkanin, pse jo edhe më gjerë. Detyrat, përgjegjësitë dhe gjërat e njerëzit, me të cilët merrem unë, nuk dallojnë aspak me detyrat e përgjegjësitë e një Presidenti mashkull, kudo që veprojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Natyrisht që jam ballafaquar me shumë probleme, sfida, madje edhe me një lloj qasjeje seksiste. Shpeshherë, mendimi im është gjykuar vetëm se jam grua, ka pasur edhe një përqindje të opinionit publik që më ka paragjykuar, por mund të të them se unë jam ndierë shumë rehat me atë çfarë përfaqësoj. Dy milionë qytetarë të Republikës së Kosovës janë shumë të përkushtuar dhe të përqendruar, që unë të ndërtoj një shtet të qëndrueshëm, një shtet në prosperitet dhe një shtet demokratik. Unë jam votuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3-tat e votave dhe asnjëherë nuk e kam kthyer kokën pas, që të paragjykoj këtë besim dhe këtë mbështetje që më është dhënë.
Alban Dudushi: Politika, në përgjithësi është e egër. Imagjino sa e egër është politika e burrave. U ambientuat shpejt? E kam fjalën, duke mos qenë një personazh politik, duke mos qenë një personazh që kishit ambicie politike, a u ambientuat shpejt në gjithë këtë vorbull të intrigave politike dhe gjithë kthinave që ka politika?
Presidentja Atifete Jahjaga: Patjetër që më është dashur të ambientohem dhe, normalisht që, janë bërë edhe shumë gabime. Por këto janë gabime, që kanë qenë pjesë e punës së vazhdueshme. Dua të them se kam pasur një përkrahje të fuqishme, duke respektuar normalisht Kushtetutën e ligjet e vendit, nga të gjitha institucionet dhe spektri politik i vendit, por gjithmonë duke ruajtur atë neutralitetin e zyrës sime në kuadër të partive politike, por edhe në lidhje me ndarjen e pushteteve me institucionet e tjera. E them përsëri se, për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit tim, t’u shërbej qytetarëve të Kosovës, t’u shërbej institucioneve të vendit tim.
Alban Dudushi: Thatë pak më parë që Ju bëtë histori. Dhe jo vetëm historinë tuaj, por edhe të Ballkanit, duke qenë Presidentja e parë grua. Në një vend si Kosova, në një shtet si Kosova, që ashtu si Shqipëria është një shoqëri maskiliste deri diku… Duke thënë këtë nënkuptojmë që gratë dhe femrat e tjera, ato që nuk janë në pozicionin tuaj, nuk janë në një pozitë më të mirë sesa dje. Çfarë keni bërë Ju për to?
Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që kam bërë. Përkundër detyrave të mia kushtetuese dhe ligjore, ka qenë edhe një detyrim – moral mbi të gjitha, – që të përkujdesem për fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve, në të cilat shteti ynë ka kaluar, qoftë në periudhën e rezistencës, qoftë në periudhën e luftës, qoftë në periudhën e ndërtimit të shtetit tim. Ka qenë fokusi im i veçantë në fuqizimin dhe avancimin e rolit të gruas, përmes projekteve dhe nismave të ndryshme, duke siguruar që gruaja të jetë e përfaqësuar si në jetën institucionale, ashtu edhe në atë politike e vendimmarrëse. Veçanërisht, fokusi im ka qenë në procesin e vendimmarrjes, që të kemi përfaqësim të grave në të gjitha nivelet. Ju e dini se në Kosovë, një vit më parë kemi adaptuar një kuotë prej 30%, që parashikon në kuadër të ligjeve të Kosovës, përfaqësimin e grave në jetën institucionale, veçanërisht, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Kjo është zbatuar deri më sot. Për shembull, 1/3-ta e Kuvendit përbëhet nga gratë, por pas krijimit të Qeverisë së fundit, kjo përqindje ka rënë. Menjëherë pas marrjes së detyrës nga ana e kryeministrit të ri, unë kam ftuar në takim atë dhe, një ndër kërkesat e mia të para ka qenë ajo se “ku janë gratë?”.
Alban Dudushi: Në qeveri?
Presidentja Atifete Jahjaga: Ku janë gratë në qeveri? Ku është përfaqësimi i tyre? Ku është respektimi i ligjit?
Alban Dudushi: Cila ka qenë përgjigjja?
Presidentja Atifete Jahjaga: Përgjigjja ka qenë: “E dimë, por më jep pak kohë dhe patjetër do ta përmirësoj këtë”. Ka disa muaj kohë, por ende nuk është arritur në nivelin e dëshirueshëm. Kjo çështje përbën një rikujtim timin të vazhdueshëm, që bëj ndaj institucioneve të vendit. Situata nuk dallon shumë nga Kosova në Shqipëri, por nuk dallon as prej vendeve të tjera në rajon. Ne kemi evoluuar shumë si shoqëri, si në Shqipëri edhe në Kosovë, dhe në këtë drejtim ka evoluuar edhe roli e pozita e gruas në shoqëri. Mirëpo ne duhet të këmbëngulim tashmë në qëndrueshmëri. Duhet të fillojmë të mënjanojmë idenë e të interesuarit për “a kemi përqindjen e nevojshme”, “a kemi përqindjen e domosdoshme”? Këtë duhet ta bëjmë një normë të rregullt të funksionimit dhe operimit brenda jetës sonë, qoftë institucionale apo shoqërore. Por, baza dhe thelbi i fuqizimit të rolit të gruas, them se nuk është vetëm nëpër institucione – duke marrë parasysh një garant, – por është te familja! Ne kemi ende punë për të bërë për fuqizimin e rolit të gruas në familje, e nga aty të kemi fuqizimin e madh të gruas edhe në shoqëri. Një çështje tjetër që dua ta prek këtu, kur kemi të bëjmë me çështjen e grave, është njëra me të cilën unë jam marrë menjëherë pasi kam marrë detyrën time. Ju e dini që Kosova ka pasur një të kaluar shumë të rëndë. Ne kemi pasur dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës, që janë vrarë dhe masakruar, kemi pasur me qindra qytetarë, që ende rezultojnë të zhdukur në varrezat masive në territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj. Por ne kemi edhe mbi 21 mijë gra, që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, të cilat kanë qenë në mëshirën e askujt për këto 15 vite, pas përfundimit të luftës.
Alban Dudushi: Kjo është me të vërtetë shumë e rëndësishme. Mos gaboj, dy vite më parë, Top Channel ka realizuar një dokumentar shumë tronditës, pikërisht me këto gra, viktima të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Duke qenë shpesh atje dhe duke biseduar edhe me aktivistë të shoqërisë civile, më kanë treguar se është një nga gjërat “tabu” në Kosovë, është një nga gjërat që nuk përmendet. Ato gra, përveç se kanë vuajtur në atë kohë, vazhdojnë të vuajnë edhe sot stigmatizimin edhe ndaj familjarëve të tyre, për shkak të asaj që kanë pësuar në atë kohë…
Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht po! Kjo ka qenë edhe pikënisja e nismës sime, që kam themeluar vitin e kaluar. Kam krijuar Këshillin Kombëtar për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto gra, jo vetëm që nuk kanë qenë në mëshirën e askujt, por është ajo që thatë edhe ju: ka qenë një temë “tabu”. Ka qenë një temë, që nuk është lejuar të diskutohet në shoqërinë tonë, kanë qenë të stigmatizuara, së pari nga familja e tyre, nga rrethi i tyre, e më pas nga e gjithë shoqëria. Për ato gra, lufta nuk ka përfunduar ende. Edhe 15 vite pas përfundimit të luftës, ende në shpirtin e mendjen e këtyre grave ka luftë, ka dhimbje, ka vuajtje dhe kjo vuajtje u është rritur gjithnjë e më shumë përmes stigmatizimit të shoqërisë, që u është bërë me vetëdije apo pa vetëdije, kësaj shtrese të prekur.
Alban Dudushi: Çfarë bën ky Këshill Kombëtar?
Presidentja Atifete Jahjaga: Ky këshill ka përfshirë të gjitha institucionet e vendit, ministritë, ka përfshirë edhe shoqërinë civile. Pikësynimi kryesor është njohja e statusit ligjor të këtyre grave, që parashikon të njëjtat trajtime sikurse viktimat civile të luftës. Pastaj është marrë me riintegrimin, rehabilitimin dhe risocializimin e këtyre viktimave të dhunës. Ky këshill u ka dhënë zë këtyre grave dhe zëri më i fuqishëm është dëgjuar gjatë instalacionit të fundit, që patëm në ditën e Çlirimit. Ishte një instilacion artistik në qendër të Prishtinës, ku u shfaqën 5 mijë funde dhe fustane të mbledhura vullnetarisht, të grave dhe vajzave në të gjithë territorin e Kosovës, që së pari ka pasur për qëllim rritjen e vetëdijes te qytetarët tanë dhe, së dyti, përkrahjen e këtyre grave në Kosovë, sepse nuk ka qenë turpi i tyre, nuk është faji i tyre.
Alban Dudushi: Si reagon shoqëria?
Presidentja Atifete Jahjaga: E thashë edhe më herët, që kjo ka qenë një temë “tabu”, por që prej një viti, ajo është një pikë qendrore diskutimi në çdo komunë të Kosovës, në çdo vend të Kosovës. Ende kemi punë për të bërë, sidomos në fuqizimin ekonomik të këtyre grave, pasi fuqizimi ekonomik u jep zë këtyre grave. I bën më të pavarura dhe i bën më të zëshme në kërkimin e drejtësisë. Dhe, e dyta, por që është më e rëndësishmja, është qasja në drejtësi. Ende, që pas përfundimit të luftës, ne nuk kemi asnjë autor të këtyre veprave makabre, i cili të jetë dënuar për këto krime. Pra, kemi ende punë për të bërë. Presioni kryesor që duhet bërë, normalisht është ndaj Serbisë, që duhet të hapë dosjet dhe të bashkëpunojë me Kosovën për zbardhjen e këtyre krimeve. Gjithsesi edhe ndërkombëtarizimin e statusit të këtyre grave, sepse ua kemi ne borxh. Kosova ua ka borxh, sepse ato janë heroinat tona.