Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga e ka refuzuar kërkesën publike për të ndërmjetësuar ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë.
Në një përgjigje me shkrim për KTV’në, zyra e Presidentes u bën thirrje partive të flasin mes vete, dhe në asnjë mënyrë të mos bllokojnë punën e institucioneve.
“Presidentja konsideron që është përgjegjësi e të gjithë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend që të sigurojnë funksionimin e institucioneve dhe të ruajnë kredibilitetin e tyre. Një Kuvend që përgjegjësi kryesore e ka vendimmarrjen për interesat e qytetarëve të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga vet deputetët e tij, të cilët e kanë për detyrë që Kuvendin dhe rrugët institucionale t’i shfrytëzojnë për të gjetur rrugëdaljen nga sfidat, e jo për t’i thelluar ato. Presidentja vlerëson që një bllokadë institucionale do të na kthente prapa në shumë procese të rëndësishme në të cilat është shteti i Kosovës”, ka thënë zyra e Presidencës.