Lajmet e fundit

Jahjaga: Vendi në krizë të thellë politike e morale

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në adresimin e saj vjetor para deputetëve të Kosovës tha se vendi është duke kaluar njërin prej momenteve më kritike të demokracisë parlamentare dhe se është kapluar nga një krizë e thellë politike e morale.
Ajo tha para deputetëve të vendit, se vendi ka hyrë në muajin e katërt të krizës politike dhe se është sfiduar rëndë rendi dhe ligji.
Presidentja tha se në vend që qytetarët të gëzojnë mundësinë historike të fituar me mund e sakrificë, u shndërruan në spektator të një tensionimi të skajshëm e dhune të pashembullt në historinë tonë të re.
 
“Këta muaj jam udhëhequr nga besimi se përfaqësuesit e popullit do të gjejnë kurajën t’i kalojnë agjendat e tyre ditore”, tha Jahjaga, duke shtuar se pa reshtur i ka takuar pozitë e opozitë për të gjetur rrugëdalje, por kërkesa e saj ose është refuzuar ose kushtëzuar.
 
Ajo tha se Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe janë shqetësime për të gjithë, por zgjidhja qëndron te një dialog.
 
“Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh”, u shpreh presidentja.
 
Jahjaga ka thënë se e ka dëgjuar më kujdes elaborimin e kryeministrit për dialogun dhe marrëveshjet në Bruksel, dhe se e ka dëgjuar gjithashtu edhe brengat e opozitës.
 
Kemi biseduar me partnerët ndërkombëtarë dhe i kam siguruar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj. Kam propozuar plan konkret për tejkalimin e krizës politike në vend. Ne të gjithë mund të kemi mendime për Asociacionin e komunave serbe, por Gjykata Kushtetuese e votuar nga ky parlament është instanca e vetme kompetente që mund të bëjë vlerësim për parimet e Asociacionit”, ka thënë ajo.
 
Sipas saj, ajo njëjtë ka vepruar edhe me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke “propozuar themelimin e një komisioni ad hoc me ekspertëve të si mënyrë e vetme dhe kredibile në vlerësimin e këtij procesi”.
 
“Jam zotuar se gabimet e eventuale do të përmirësohen. Besoj se dy zgjidhjet konkrete të propozuara janë rruga e mesme e propozuar, të cilat janë përtej politikës ditore të pozitës dhe opozitës. Qytetarët e Kosovës nuk na kanë borxh asnjërit prej nesh që ta përjetojnë një gjë të tillë, të cilat nuk pranuan të jenë pjesë e përplasjes. Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësoj gazi lotsjellës”, ka thënë Jahjaga.
 
“Përgjegjësia bie mbi ne për t’i gjetur zgjidhje sfidave me të cilat përballemi…Ju bëj thirrje për dialog, kompromiset janë të domosdoshme e synimet janë të qarta”, u shpreh presidentja.
 
Jahjaga foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se dialogu është momenti i fundit që ta detyrojmë Serbinë të shkëputet nga Kosova.
 
Ajo kërkoi që në dialogun me Serbinë pala kosovare ta ketë të qartë rendin e ditës, duke përfshirë edhe dialogun për të pagjeturit, për dëmet e luftës etj.
 
“Nuk kemi vend për mediokritet”, tha Jahjaga.
 
Presidentja më tej, ka folur edhe për mosliberalizimin e vizave, duke thënë se as ajo nuk mund ta fshehë dëshpërimin për mosliberalizimin e vizave.
 
“Ne kemi përmbushur kriteret, përkundër faktit që kriteret janë shtuar vazhdimisht”, tha Jahjaga, por shtoi se vonesat tona në përmbushjen me kohë të kritereve i kanë dhënë hapësirë BE-së të vonojë vlerësimin pozitiv për vizat.
 
“Kosova ka përmbushur anën e saj të obligimeve, është radha që BE-ja të bëj pjesën e saj”, tha Jahjaga, duke shtuar se Kosova dhe qytetarët e saj janë vlerë për Bashkimin Evropian dhe duhet të tregojmë se kemi potencial.
 
Presidentja e vendit ka folur edhe për ekonominë e vendit, e cila tha se është më e dobëta në rajon.
 
Ajo tha se pa ekonomi të fuqishme nuk mund të kemi as arsim, as shëndetësi e as ushtri.
 
Jahjaga bëri të ditur se i ka paraqitur Qeverisë një listë me masa të nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
 
“Pres nga qeveria ta përmbyll këtë pako të masave dhe reformat në zhvillimin ekonomik të vazhdojnë”, tha Jahjaga, duke shtuar se për sukses duhet edhe një gjyqësor i pavarur dhe efikas.

Leave a Reply

Your email address will not be published.