Lajmet e fundit

Jakup Krasniqi: Zgjedhje të parakohshme nëse Kryeministri s’tërhiqet

Ish-Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi e ka gjetur fajtorin kryesor për bllokadën politikë në Kosovë. Ai është Hashim Thaçi.

Por, përgjegjësi për bllokadën, Krasniqi, i lë edhe Isa Mustafës.

“Edhe pse Thaçi është gjellëbërësi kryesor i kësaj gjelle të keqe, ai është në një pozitë shumë më të mirë se Kryeministri i cili e ka marrë në dorë një patate të nxehtë dhe të cilës nuk po mund t’ia gjejë vendin”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për Gazetën Fjala.

Por, cila është zgjidhja më e mirë?

Jakup Krasniqi e ka përgjigjen.

“Nëse Kryeministri nuk e tërheq nënshkrimin, ai duhet ti jep mundësi një moratoriumi e pastaj zgjedhjeve të parakohshme. Kjo ndoshta është zgjedhja më e mirë”, ka shtuar ai.

Jakup Krasniqi është njëri prej politikanëve edhe sa ka qenë në pushtet me PDK’në ka pasur raporte të mira me Vetëvendosjen e AAK’në.

Por, ka qëndruar larg kur këto parti tentonin të ndërtonin Qeverinë e re të Kosovës, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Sidoqoftë, Lideri shpirtëror i Vetëvendosjes, Albin Kurti i kishte futur njerëzit e LDK’së, AAK’së e NISMA’s në kategorinë e hajnave të ligës së dytë.

Pavarësisht kësaj, Krasniqi thotë se opozita aktuale, VV, AAK e NISMA duhet të shkojnë në zgjedhje të reja të bashkuar.

“Nuk do të kishte kuptim që kjo opozitë e bashkuar mos të shkonte e bashkuar edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka deklaruar ai.

Jakup Krasniqi për herë të parë ka folur fjalë të mira edhe për Kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin. Ka thënë se është duke vepruar me zgjuarsi në raport me deputetët e opozitës, të cilët po e bllokojnë punën e Kuvendit.,

“Kryetari Veseli është duke vepruar me zgjuarsi do të dëshiroja që ai të vepronte me përgjegjësi, pasi ka një situatë të re”, ka thënë Jakup Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.