Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së u diskutua për shkeljet e të drejtave të njeriut ku mysafir ishte Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Kreu i institucionit të Avokatit të Popullit, në emision, veç tjerash, foli edhe për arrestimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rast për të cilin ai tha se kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut në rast se nuk ka pasur fletëarrest ndaj tij.
“Nëse për Albin Kurtin nuk ka pasur fletarrest, atëherë arrestimi i tij përbën shkelje të të drejtave të njeriut”, theksoi Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ndërsa ka theksuar se duhet të presim vlerësimin e Gjykatës.
Jashari foli edhe për shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, duke theksuar se janë gjykatat ato që avancojnë me 60% të rasteve.
“Për një kontest pronësor, gjykata e ka zvarritur rasti tash e 13 vjet duke mos marrë vendim. Pas 13 vjet zhegitjesh, vritet një person për atë pronë pastaj pas një jave gjykata merr vendim pasi vritet personi”, ka thënë Jashari në “Puls”.
Shkelësi i dytë është administrata publike ku, sipas Jasharit, ndodh që as përgjigje nuk u kthejnë qytetareve.
“Ne si institucion jemi në objekt me qira, paguajmë 5 mijë euro në muaj. Ministri i Administratës Publike ka premtuar se do të dalim në objektin ku është Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, kjo gjykatë nuk po zhvendoset në Pallatin e Drejtësisë, ani pse e kanë objektin atje”, ka thënë Jashari.
Më tej, Avokati i Popullit, duke folur për trajtimet e të burgosurve nëpër qendrat korrektuese në Kosovës, ka thënë se ekziston pabarazi në çështjen e trajtimit të të burgosurve,
“Kemi trajtim të pabarabartë të të burgosurve. I kemi rastet e fundit kur dikush del nga burgjet e shtetit. Ne, si zyrë e Avokatit të Popullit, kemi filluar hetimet për këto raste. Shkeljet më brutale i kemi kur personat rrinë 4 vjet në paraburgim ndërsa hetimet kanë përfunduar”, ka deklaruar Hilmi Jashari, Avokat i Popullit. /Koha.net/
https://www.youtube.com/watch?v=Om-HflPvw9Q