Edhe pse kanë kaluar gati 17 vjet që nga mbarimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e rreth 1.670 personave, të cilët konsiderohen të zhdukur si viktima të luftës.
Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë që të bëhet më shumë për ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre, pasi, siç thonë ata, deri tash ka munguar një vullnet politik që të lëvizte diçka në këtë drejtim.
Ata shprehen të pakënaqur me punën që është bërë deri tash nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
Nysrete Kumnova, nga shoqata “Zëri i nënave”, thotë për KosovaLive se edhe pas gati 17 viteve nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të rreth 1.670 personave të zhdukur.
Ajo pohon se kjo zvarritje është rezultat i mungesës së presionit ndërkombëtar, por edhe vendor, ndaj Serbisë në mënyrë që ajo të tregojë për vendndodhjen e të zhdukurve.
“Unë po flas edhe si nënë, meqenëse ende e kam djalin e zhdukur, Albionin, por janë edhe 1.670 të tjerë që ende mungojnë, edhe pas 16 viteve.
Mendoj që nuk është bërë sa duhet dhe nuk jemi të kënaqur me punën që është bërë deri tash për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Komisioni qeveritar për persona të pagjetur është munduar për aq sa ka kompetenca që të zbulojë se ku gjinden varrezat masive, por pala serbe nuk është e gatshme të tregojë vendndodhjen e të zhdukurve, sepse mungon presioni ndërkombëtar, por edhe ai vendor.
Ndërsa në anën tjetër kemi presionin për t’ua plotësuar serbëve të gjitha kushtet e kërkesat, kinse s’ka ndodhur asgjë në Kosovë. Kjo është e papranueshme, pas asaj që ndodhi me mijëra të vrarë, e mijëra të zhdukur.
Është një mëkat i pafalshëm i qeveritarëve tanë për heshtjen e tyre edhe pas kaq shumë viteve për zbardhjen e fatit të një numri kaq të madh të të zhdukurve.
Kjo që po e bëjnë ndaj atyre trupave që ende janë nëpër varreza masive të Serbisë është mëkat i pafalshëm ndaj tyre dhe ndaj nesh, ndaj familjarëve, nënave dhe baballarëve. Është shumë e dhimbshme të jetosh në ankth 16 vite pas përfundimit të luftës. Ata meritojnë të jenë në vendlindjen e vetë të pushojnë këtu”, thekson Kumnova.
Ajo thotë se mesazhi i familjarëve të të zhdukurve është që së paku t’u tregohet për vendndodhjen e eshtrave të familjarëve të tyre dhe t’ua kthejnë në vendlindje në mënyrë që atyre sado pak tu kthehet pak qetësi që nuk e kanë as pas gati 17 vitesh.
“Si gjithherë mesazhi i nënave të Kosovës dhe i familjarëve të Kosovës është që së paku njerëzit në institucionet vendore të vendosin dorën në zemrën e tyre dhe të mendojnë se si do të ishin ndier sikur vetëm 24 orë të ju mungonte anëtari i familjes së tyre.
Ne kërkojmë dhe ju lutemi sinqerisht dhe shpirtërisht të gjithë njerëzve në institucionet vendore vetëm t’ i kuptojnë këta familjarë që jetojnë në ankth dhe mos të mbrapsen, por të kërkojnë në çdo mënyrë prej ndërkombëtarëve dhe atyre kriminelëve serbë që së paku të na i gjejnë dhe të na i kthejnë më të dashurit tanë. Përndryshe për ne nuk ka qetësi dhe kjo është shumë e dhimbshme”, thotë ajo.
Edhe Bajram Qerkini, nga Shoqata “Zëri i prindërve”, deklaron për KosovaLive se si përfaqësues të shoqatave të të zhdukurve dhe familjarë të tyre nuk janë aspak të kënaqur me punën që është bërë gjatë vitit 2015 për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
“Nuk mund të jemi të kënaqur aspak me punën që është bërë në vitin 2015 kur edhe 1.670 persona ende janë të zhdukur. Kjo shtyrje e këtij procesi po i konvenon dikujt e sidomos politikës për mbrojtjen e kriminelëve të Serbisë të cilët e kanë bërë krimin në popullin shqiptar.
Po bëhen gati 17 vjet e ne ende nuk dimë për fatin e më të dashurve tanë e fajin e kanë edhe vendorët, sepse nuk po bëjnë trysni sa duhet tek ndërkombëtarët e lëre më tek Serbia. Kjo është punë shumë e rëndë.
Neve na irritojnë edhe disa shoqata të cilat marrin grande të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare, të cilat pohojnë se duhet ne ta shtrijmë dorën e pajtimit. Kjo neve na i lëndon plagët.
Qeveritarët tanë në vend që çështjen e pagjeturve ta ngritin edhe në kuadër të dialogut në Bruksel, ata këtë proces e neglizhuan edhe me grup punues që mezi mblidhet një herë në vit”, thotë ai.
Ai pohon se Serbia njëherë e përgjithmonë duhet të tregojë të vërtetën për fatin e personave të zhdukur dhe mos të zvarritet më ky proces.
“Vendorët duhet t’i qelin sytë, t’i hapin veshët, ta lënë politikën e ta marrin këtë proces më seriozisht që bashkësisë ndërkombëtare t’i qesin edhe kushte për shkak se faktori ndërkombëtar mund të bëjë një trysni mbi Serbinë.
Krerët e Serbisë jo që e nuk tregojnë për vendndodhjen e më të dashurve tanë por edhe na ngacmojnë. Duhet trysni më e madhe tek Serbia të cilët ende shohin ëndrra se Kosova është e tyre dhe bëjnë çka të duan. Nuk ka rend të dialogut pa u zbardh fati i personave të pagjetur e lëre më me shtri dorën e pajtimit”, shton Qerkini.
Sabile Jonuzi, nga Mitrovica e cila ka të zhdukur dy anëtarë të familjes thotë për KosovaLive se nuk janë të kënaqur aspak me punën që po bëhet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve derisa kërkon që të bëhet më shumë pasi që familjaret tashmë janë lodhur me zvarritjen e këtij procesi.
“ Si familjarë, nuk jemi të kënaqur aspak me institucionet dhe punën e tyre për të zhdukurit. Ju kisha lut që të punojnë më tepër, të punojnë ditë e natë mos të ndalen sikurse lotët tanë që po derdhen pa rresht. Ne si familjarë nuk do të ndalemi që të kërkojmë të drejtën tonë deri sa të zbardhet fati i të pagjeturve”, thotë ajo.
Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, në një intervistë për KosovaLive ka deklaruar se zvarritja e këtij procesi nuk është faj i tyre pasi që adresa kryesore është shteti serb, i cili për disa vite me radhë po e neglizhon këtë proces me arsyetime të ndryshme.
“Ky proces nuk varet vetëm prej nesh. Adresa dhe akuza kryesore është në Serbi, sepse ka zhdukur gjurmët e personave që i ka torturuar, i ka kidnapuar, i ka vrarë, kemi raste kur janë vrarë dhe janë varrosur dhe pas disa kohe janë zhvarrosur dhe janë dërguar në drejtime të panjohura”, ka theksuar Gjetaj.
Ai pohon se Komisioni qeveritar disa herë ka kërkuar që çështja e të pagjeturve të hapet si temë edhe në Bruksel por siç thotë politika po e mban peng çështjen e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur.
“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që në kuadër të dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të avancojë kjo çështje me qëllim që të detyrohet pala serbe të jap informacione derisa ka të dhëna, sepse kishte struktura shtetërore që vepronin me urdhra dhe komandë”, ka shtuar ai.
Gjetaj thotë se Komisioni qeveritar si udhëheqës i procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me partnerët tjerë që janë të involvuar në këtë proces do të përpiqen që në vitin 2016 t’i dinamizojnë dhe intensifikojnë aktivitetet që së paku këto lokacione që dyshohen për varreza masive ose individuale të hulumtohen dhe të hiqet çdo dyshim.