Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, ka zhvilluar një vizitë në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë. Aty, ai është pritur nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta.
Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e madhe që luan dialogu mes Prishtinës e Beogradit, proces i udhëhequr nga BE-ja. Ai përmendi rolin e rëndësishëm të pranisë së BE-së në Kosovë. Ndërkohë, në fjalën e tij komisioneri Hahn theksoi rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.
Gjithashtu, gjenerali Miglietta takoi drejtoreshën e Administratës Komunale të Mitrovicës së veriut, Adrijana Hoxhiç. Ata diskutuan çështjet e sigurisë dhe perspektivën e përmirësimit të kushteve të jetesës në veriun e Mitrovicës.
Në një komunikate të KFOR-it thuhet se, pas vizitës në kamp, Miglietta dhe komisioneri Hahn kanë fluturuar së bashku drejt bazës ushtarake të KFOR-it në Pejë.