Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi ka numëruar të gjitha vendimet e Rektorit Ramadan Zejnullahu, të cilat konsideron se mund të quhet arritje dhe ato që mund të quhet shkarje, raporton Gazeta Blic.
Thaçi në “arritjet dhe rezultatet”, i ka futur disa veprime, siç janë: publikimi I punimeve të doktoraturave, rritja e provimit pranues në UP, etj.
Kurse, të “shkeljet dhe shkarjet” i ka futur: Lejimin e kuotave për pranim në UP të studentëve jo-shumicë, ndërhyrjen në konkursin e UP-së për pranimin e studentëve për vitin akademik 2015-2016, etj.
Ky është postimi i plotë i Thaçit:
Bilanci njëvjeçar i Rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu!
Meqë tashmë Rektori Zejnullahu ka mbushur një vit që udhëheqë me UP-në, do të bëja një bilanc të punës së tij (normalisht bazuar në ato që unë di dhe sigurisht sipas gjykimit tim).
Arritjet dhe rezultatet:
- Ndërprerja e praktikës së regjistrimit të studentëve të rinj jashtë kritereve dhe përtej numrit të paraparë me konkurs. Këtë e konsideroj arritje të jashtëzakonshme, e cila do të ketë pasoja pozitive për cilësinë në UP në planin afat-mesëm dhe afat-gjatë. Ky standard tashmë vështirë se mund të shpërfillet në të ardhmen, pavarësisht se kush do të jetë rektor dhe kjo e bënë këtë një arritje të rëndësishme. Gjithashtu, ky standard i ri për UP-në e kthen edhe besimin e qytetarëve në UP dhe sanon reputacionin e UP-së.
- Rekrutimi i personelit akademik të angazhuar përmes konkursit publik dhe përmes kalimit nëpër filtrat e komisioneve recensuese. Kjo praktikë e re siguron (deri në një masë) që askush nuk mund të rekrutohet si personel akademik në UP (qoftë edhe si i angazhuar) vetëm për shkak të lidhjeve të tij dhe pa ia nënshtruar fare konkursit publik dhe vlerësimit të komisioneve recensuese siç ka ndodhur në të kaluarën (për të qenë korrekt, në kohën e Rektorit Gashi ka filluar një praktikë më e mirë se paraardhësit e tij).
- Moslejimi i avancimeve akademike pa i plotësuar kriteret. Deri më tani, avancimet e profesorëve në grada akademike ka qenë vetëm çështje kohe e procedure, asnjëherë nuk janë marrë parasysh kriteret e përcaktuara me statut. Ndërprerja e kësaj praktike në UP na siguron që tash e tutje nuk do të kemi “marshallë profesorë” që mbajnë titujt më të lartë akademikë pa plotësuar asnjë kriter ligjor e përmbajtësor.
- Publikimi i punimeve të doktoratave të personelit akademik të UP-së. Deri më tani, punimet e doktoratave të personelit akademik të UP-së kanë qenë pothuajse “dokumente intime” të vet autorëve dhe publiku i gjerë, studentët e as komuniteti shkencor nuk kanë pasur qasje në to, në mënyrë që të mund të gjykojnë e vlerësojnë cilësinë e këtyre punimeve, përkatësisht cilësinë e vet profesorëve. Megjithatë, ky proces do të marrë kohë derisa të përfundojë, por gjithsesi është një praktikë shumë e mirë.
- Rritja e peshës dhe rëndësisë së provimit pranues të vet UP-së me rastin e regjistrimit të studentëve në nivelin Baçelor dhe Master. Relativizimi dhe minimizimi i provimit pranues me rastin e regjistrimit të studentëve ka bërë që deri më tani të mos pranohen studentët më cilësorë, sepse padrejtësisht i është dhënë shumë peshë e rëndësi Testit të Maturës (me rastin e regjistrimit në Baçelor) dhe automatizmit me notë mesatare (me rastin e regjistrimit në Master).
- Zvogëlimi i numrit të studentëve të rinj të pranuar në UP. Deri më tani, numri shumë i madh i studentëve në UP (përtej kapaciteteve të UP-së) ka qenë ndër shkaktarët e shumë problemeve në UP dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e cilësisë së studimeve në UP. Këtë vit, për herë të parë që nga paslufta është zvogëluar ndjeshëm numri i studentëve të pranuar në UP dhe, për më mirë, është zvogëluar numri në shumë profesione e drejtime të “mbipopulluara” dhe është rritur numri në profesione e drejtime deficitare. Për hir të korrektësisë, po aq sa rektori, meritë për këtë ka edhe Senati i UP-së dhe MASHT-i.
Shkeljet dhe shkarjet:
- Tjetërsimi i statusit dhe ndërhyrja në pagat e profesorëve që mbajnë pozita tjera publike e politike. Pavarësisht dëshirës sime e të rektorit, rektori nuk është instancë që mund të vendosë as për statusin e profesorëve e as për pagat e profesorëve. Për ta bërë këtë, rektori së paku do duhej të kishte kërkuar një vendim dhe rregullore nga Këshilli Drejtues dhe Senati (megjithëse edhe kjo do të mund të kontestohej nga gjykata), e jo të merrte vendim vet ai. Pra, rektori në këtë pikë ka tejkaluar kompetencat e veta ligjore e statutare.
- Ndërhyrja në konkursin e UP-së për pranimin e studentëve për vitin akademik 2015-2016. Senati i UP-së ka propozuar një numër të caktuar për pranim në UP këtë vit, për secilën njësi akademike, departament e drejtim studimi. Propozimi i senatit është miratuar nga MASHT (përmes vendimit) pa asnjë ndryshim. Pas kësaj, është shpallur konkursi i UP-së, i cili është në shpërputhje edhe me propozimin e Senatit edhe me vendimin e MASHT-it (problemi që lindi me kandidatët e papranuar në dy drejtime të mjekësisë). Për këtë shpërputhje është përgjegjës rektori dhe kjo nuk mund të justifikohet me “korrespodenca interne” me MASHT-in e me ministrin. Pra, edhe në këtë pikë rektori ka tejkaluar kompetencat e veta ligjore e statutare.
- Lejimi i kuotave për pranim në UP të studentëve jo-shumicë (boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe kroat). Pavarësisht që kjo nuk është kompetencë ekskluzive e rektorit, rektori nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të ndaluar këtë praktikë joparimore, joligjore dhe raciste.
- Zvarritja e fillimit të programeve të akredituara të doktoratës për të cilat ka kapacitete UP-ja. Mund të mirëkuptohet, madje edhe të përkrahet zvarritja, madje edhe bllokimi i programeve të doktoratave (qofshin edhe të akredituara) në ato drejtime ku nuk ka kapacitete të mjaftueshme për studime cilësore të doktoratës. Por, zvarritja e fillimit të programeve të akredituara të doktoratës për të cilat ka kapacitete UP-ja është e pajustifikueshme.
- Lejimi i aplikimit për akreditim i programeve të UP-së që nuk kanë as kapacitete minimale për të ofruar studime cilësore. Është bërë traditë tashmë që njësitë akademike e departamentet e UP-së të aplikojnë për akreditim të sa më shumë programeve, pavarësisht kapaciteteve që kanë në dispozicion. E meqë akreditimi deri më tani shpeshherë ka qenë më shumë formalitet se përmbajtje, ka shumë programe të akredituar në UP që nuk e plotësojnë asnjë kusht elementar për të ofruar studime cilësore. Prandaj, rektori do duhej që ta ndërpriste këtë praktikë dhe të mos lejonte as të aplikojnë për akreditim ato programe që nuk kanë kapacitete.
- Rritja e kriterit për kushtin për kalimin në vitin pasues pa masa paraprake. Megjithëse kjo nuk është kompetencë ekskluzive e rektorit, rektori do duhej të insistonte që fillimisht të merreshin masa që të gjithë profesorët të fillonin të zbatonin metodat e shumëllojshme e periodike të vlerësimit të studentëve e bashkë me zbatimin e këtyre masave të rritej edhe kriteri për kusht për kalimin në vitin pasues.
Për t’u bërë:
- Krijimi dhe funksionalizimi i mekanizmave që vlerësojnë realisht performancën e profesorëve dhe përmes të cilëve ndëshkohen profesorët jokompetentë dhe të papërgjegjshëm.
- Krijimi dhe funksionalizimi i mekanizmave që detyrojnë profesorët të përdorin metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe të vlerësimit.
- Krijimi i mundësive për punë të mirëfilltë praktike për studentët në bazë të marrëveshjeve ndër-institucionale.
- Bashkëpunimi me të gjitha institucionet shqiptare të arsimit të lartë, publike e private, për sigurimin e literaturës bazë cilësore të studimeve në gjuhën shqipe përmes përkthimit të teksteve universitare.
- Rikthimi i bursave për studentët e nivelit Master dhe rritja e shumës së bursave për studentët.
- Funksionalizimi i komisioneve etike në nivel universiteti e në nivel të njësive akademike.