Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se tri subjektet opozitare do të vazhdojnë ta bllokojnë Kuvendin derisa Qeveria “Mustafa” të heqë dorë nga zbatimi i Marrëveshjes për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe i asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Kadaj-Bujupi ka thënë se Qeveria i ka dy zgjidhje: të tërhiqet nga marrëveshjet apo të ofrojë dorëheqjen. Ajo gjithashtu ka komentuar edhe deklarimet rreth bashkëngjitjes së AAK-së në koalicionin aktual qeverisës, duke thënë se angazhimi i tyre është për shtet e jo për pushtet.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se pasi Qeveria nuk ka reflektuar në kërkesat e opozitës për zhbërjen e këtyre dy marrëveshjeve, opozita do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta pamundësuar zbatimin e tyre.