Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka lëshuar një deklaratë lidhur me ngjarjet e djeshme e cila u është shpërndarë mediave.
Në vijim mund ta lexoni Deklaratën e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës:
Në Republikën e Kosovës politika dhe drejtësia janë të ndara nga njëra tjetra dhe në këtë kontekst arrestimet e deputetëve nuk mund dhe nuk duhet të shihen as si formë e ndikimit politik e as si zgjidhje politike. Problemet politike duhet të zgjidhen vetëm me mjete politike.
Veprimet e organeve të rendit dhe drejtësisë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë në funksion të fuqizimit dhe funksionimit të shtetit ligjor, i cili është interes madhor i vendit tonë.
Ne nuk duhet të lejojmë, që për asnjë moment, të vëmë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit ligjor, nga kushdo qoftë!
Opozita me veprimet e saj të pamatura, është vetëfutur në kurthin e sfidimit të shtetit.
Tash e dy muaj kam tërhequr vëmendjen për këtë rrezik.
Në rrethanat e krijuara nuk është e rëndësishme se kush triumfon, pozita apo opozita ; ai që duhet të triumfoj është shteti ligjor, Republika e Kosovës.
Tani më shumë se kurrë duhet t’i rikthehemi dialogut politik institucional.
Ka shumë rrugë dhe hapësirë për ta bërë këtë. I ftoj të gjithë, në rradhë të parë opozitën, që së bashku të ecim në këtë drejtim.
Qytetarët e Republikës së Kosovës e presin këtë përgjegjësi nga ne.