Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje partive opozitare të jenë të pranishme në seancën për ratifikimin e MSA’së
Ai i ka ftuar partitë opozitare të jenë pjesë edhe e këtij procesi, sic kanë qenë edhe pjesë e shumë proceseve të tjera të rëndësishme për vendin.
“Ejani, ta bëjmë së bashku historinë tonë”, është mesazhi që Veseli ua ka drejtuar partive të opozitës, të cilat më herët kanë deklaruar se nuk do ta bllokojnë mbajtjen e seancës për MSA’në, por që nuk do të jenë të pranishme.
Kjo është letra e plotë publike që ua ka shkruar Veseli, partive opozitare VV, AAK e Nisma:
“Letër publike
Drejtuar partive opozitare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga rradhët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma për Kosovën.
Sikurse jeni në dijeni, nesër do të kemi një seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës. Në këtë seancë do të ratifikohet Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit e nënshkruar të martën e kaluar në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Me besimin e plotë se të gjithë pajtohemi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm pozitiv dhe konkret të vendit tonë në rrugën e integrimeve evropiane, si dhe me besimin e plotë se, përkundër dallimeve politike që kemi, e që janë legjitime në kontekstin e demokracisë, ne të gjithë bashëkohemi rreth projektit tonë shtetëror të integrimit në familjen e demokracive evropiane, ju ftoj që nesër të merrni pjesë në seancën kushtuar ratifikimit të MSA-së dhe të jepni kontributin tuaj në ecjen përpara të Republikës së Kosovës, ashtu sikurse e keni dhënë edhe në shumë e shumë raste dhe momente tjera, gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.
Të nderuar deputetët të Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma për Kosovën.
Nesër duhet të jetë ditë e unitetit, ditë e bashkëpunimit dhe e veprimit të përbashkët, ditë kur të gjithë ne, që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojmë para qytetarëve dhe para botës se në veprimin tonë politik, mbi të gjitha, udhëhiqemi nga interesat madhore të vendit tonë dhe nga vizioni i përbashkët që kemi për të ardhmen e vendit tonë.
Ejani, të bëjmë sëbashku historinë tonë.
Me respekt,
Kadri Veseli”