Lajmet e fundit
Karriera dhe jeta politike e Mbretit Abdullah- një reformator i pafuqishëm kundër islamit radikal (FOTO)

Karriera dhe jeta politike e Mbretit Abdullah- një reformator i pafuqishëm kundër islamit radikal (FOTO)

I rritur me pikëpamje islamike tradicionale, ai shihej megjithatë si reformator dhe u bë një mbrojtës zëlartë i paqes në Lindjen e Mesme

 Gjigandi i informimit botëror ka bërë një profil të zgjeruar për Mbretin e ndjerë të Arabisë Sauditë, të ndarë dje nga jeta. Një eveniment botëror që po analizohet me detaje nga mediat botërore në lidhje me rrugën që do të ndjekë sovrani i ri këtij shteti shumë të rëndësishëm politikisht dhe ekonomikisht.

Sundimtarit absolut të një prej shoqërive më konservatore mbi Tokë, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, i është dashur të “xhonglojë” në majë të litarit, mes ruajtjes së marrëdhënieve me Perëndimin dhe zbutjen e opinionit publik në vendin e tij.

I rritur me pikëpamje islamike tradicionale, ai shihej megjithatë si reformator dhe u bë një mbrojtës zëlartë i paqes në Lindjen e Mesme.

Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud besohet të ketë lindur në vitin 1924 në Riad, ndonëse ka debate në lidhje me datën e saktë të lindjes. Ai ishte i 13-i i të paktën 45 djemve të mbretit Abdul Aziz Al-Saud, i cili krijoi shtetin modern të Arabisë Saudite në vitin 1932 dhe i dha shtetit të krijuar rishtaz emrin e familjes së tij.

Kundërvënia ndaj Perëndimit

Nëna e tij, Fahda, e teta e 22 grave të babait të tij, ishte me prejardhje beduine dhe Abdullahu i ri në moshë kaloi disa periudha të fëmijërisë duke jetuar sipas traditës së beduinëve në shkretëtirë.

Në një familje shumë strikte, princi i vogël u rrit duke ndjekur pikëpamjet tradicionale të të atit, dhe mësoi fenë, letërsinë dhe shkencën prej studiuesve islamikë të oborrit. Vëllai i tij nga babai, Faisal, u emërua Kryeministër në vitin 1958 pasi një tjetër vëlla nga babai, Saud, i cili kishte marrë fronin në vitin 1953 u bind të lëshojë kontrollin mbi qeverinë.

Karriera e Abdullahut në qeveri nisi në vitin 1961, kur ai u emërua kryebashkiak i qytetit të shenjtë të Mekës. Dy vjet më vonë, ai u zgjodh zëvendës ministër i mbrojtjes dhe komandant i Gardës Kombëtare Saudite, një post që e mbajti deri në vitin 2010. Mes detyrave të tjera, Garda ruante familjen mbretërore dhe tradicionalisht është drejtuar nga një pjesëtar i familjes Saudite.

Nën udhëheqjen e Abdullahut, Garda u rrit në përmasa dhe u pajis me armët më moderne.

Mbreti Faisal u vra në vitin 1975 dhe pasardhësi i tij, njëkohësisht vëllai, Mbreti Khalid ruajti pozicionin e Abdullahut në Gardën Kombëtare dhe e bëri njëkohësisht zëvendës kryeministër.

Profili i tij jashtë vendit u forcua në vitet shtatëdhjetë kur u bë një kritik i spikatur i politikës së SHBA në Lindjen e Mesme dhe një mbështetës i bashkimit panarab. Abdullahu besonte se vetëm solidariteti arab mund ta shndërronte naftën dhe paratë e arabëve në një armë të fortë për t’iu kundërvënë fuqisë së Perëndimit.

Në vitin 1980, Abdullahu mori kryesimi në shmangien e luftës mes Jordanisë dhe Sirisë, duke e forcuar kështu statusin e tij si në Arabinë Saudite, ashtu edhe në rrathët e jashtëm diplomatikë.

Pas vdekjes së Mbretit Khalid në vitin 1982, Monarku i ri Fahd emëroi Abdullahun si Princ të Kurorës dhe zëvendës kryeministër të parë. Emërimi i tij u kundërshtua nga shtatë vëllezërit e Mbretit Fahd, por Abdullahu ia doli mbanë të negocionte suksesshëm në fushën e minuar brenda familjes Saudite, për të siguruar pozicionin e tij.

Abdullahu u shpreh me zë të lartë kundër dhunës në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se “ne refuzojmë aktet e terrorizmit që synojnë të dëmtojnë stabilitetin në rajonin e gjirit”.

Në vitin 1991, pas pushtimit të Kuvaitit nga Iraku, Abdullahu ishte ngurues për të mbështetur vendosjen e trupave të SHBA në Arabinë Saudite, duke besuar se negociatat me Sadam Huseinin ishin një opsion më i mirë se sa lufta, por në fund ai që vendosi ishte mbreti Fahd.

Shëndetlig

Si Princ i Kurorës ai mbështeti vazhdimisht palestinezët, ndonëse marrëdhënia e tij personale me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, ishte e tensionuar. Abdullahu nuk hezitoi të kritikonte veprimet e udhëheqësve palestinezë, duke u bërë thirrje për përmbajtje në vitin 1994 pas një serie përplasjesh me Izraelin në Rripin e Gazës.

Në nëntor 1995, Mbreti Fahd pësoi një atak dhe ia kaloi pushtetin përkohësisht Abdullahut. Ndonëse mbreti i rimori zyrtarisht kompetencat tre muaj më vonë, Abdullahu u bë sundimtari de facto, duke marrë përgjegjësitë e përditshme të drejtimit të qeverisë.

Pavarësisht garancive se mbreti i ri do të ruante marrëdhëniet me SHBA, Abdullahu ishte i vendosur që të përcaktonte ai drejtimin e aleancave të ardhshme. Në vitin 1997, ai i tha një gazete libaneze se Arabia Saudite do të mbetej mike e SHBA: “Ne nuk mund t’u japim përparësi interesave të tyre, para tonave. Interesat tona janë ato të myslimanëve dhe arabëve kudo ku këta janë”.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, Abdullahu i zbehu disi festimet e përvitshëm të festës së Arabisë Saudite, në nderim të SHBA, por gjithësesi kritikoi publikisht atë që e shihte si portretizim negativ që media i bënte Arabisë Saudite pas sulmeve. Përpara fillimit të pushtimit të Irakut nga SHBA, Sauditët thanë se nuk do të lejonin që amerikanët të kryenin sulme ajrorë me avionë që niseshin nga baza e Princ Sulltanit në Arabië Saudite, pa një rezolutë të OKB që autorizonte luftën.

Reforma të ngadalta

Në vitin 2002, Lidhja Arabe miratoi propozimin e Abdullahut për dhënien fund të konfliktit arabo-izraelit. Ky përfshinte marrëveshje paqeje me Izraelin, në këmbim të një tërheqje të plotë të këtij të fundit në kufijtë e para 1967-ës si dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

Presidenti Bush refuzoi ta mbështesë planin, duke e shtyrë udhëheqësin saudit të thoshte se presidenti i SHBA nuk ishte informuar si duhej mbi detajet.

Abdullahu shpalli një plan të fortë sigurie në vitin 2003 pas një serie sulmesh nga ekstremistë. Sulmet mendohej se ishin kryer nga grupe islamikë, të zemëruar me qëndrimin perëndimor të Arabisë Saudite dhe Abdullahu u betua ta shtypë terrorizmin në vendin e tij.

Abdullahu e mori formalisht fronin në vitin 2005, pas vdekjes së Mbretit Fahd. Ai dhe udhëheqës të tjerë sunitë arabë ishin të “kujdesshëm” ndaj lëvizjeve prodemokraci të Pranverës Arabe në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Jugut dhe patën frikë për një lëkundje edhe të sundimit të tyre.

Analistët thonë se Mbreti Abdullah u përpoq edhe t’i kundërvihej ndikimit të Iranit, rivali kryesor shiit i Arabisë Saudite. Në luftën e përgjakshme civile në Siri, Irani mbështeste presidentin al Assad ndërkohë që Arabia Saudite mbështeti rebelët.

Në vendin e tij ai shihej si reformator, ndonëse i avashtë dhe i qëndrueshëm, duke lejuar kritika të lehta ndaj qeverisë në media, si dhe duke lënë të kuptohej se më shumë gra mund të lejohen të punojnë.

Kur u ngacmua në lidhje me trajtimin e grave në Arabinë Saudite, ai i tha një intervistuesi: “Unë besoj fort në të drejtat e grave, nëna ime është grua, motra ime është grua, vajza ime është grua, bashkëshortja ime është grua”.

Në vitin 2011, Abdullah u lejoi grave të drejtën për të votuar si dhe marrë pjesë në garat për bashkitë në të ardhmen, një lëvizje që është parë si ndoshta hapi më i madh përpara për gratë saudite në disa dekada. /BBC/Marrë nga bota.al/mbreti avdulla

Leave a Reply

Your email address will not be published.