Lajmet e fundit
Kastrati dënon sulmin ndaj selisë së PDK-së në veri

Kastrati dënon sulmin ndaj selisë së PDK-së në veri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka dënuar sulmin me mjet shpërthyes që ka ndodhur të enjten në orët e hershme në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të qytetit. Ai e cilëson këtë sulm si një akt kundër normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovës.

Kastrati shprehu keqardhje për vazhdimin e incidenteve në veri të qytetit, përkundër përkushtimit të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për vendosjen e rendit dhe ligjit. Ai beson se kjo është vepër e grupeve të njëjta që kanë shkaktuar incidentet edhe në ditën e votimit në veri.

Kastrati kërkon nga strukturat e sigurisë që t’i rrisin masat e sigurisë në mënyrë që të izolohen grupet ekstremiste, të cilat janë duke e mbajtur peng jetën dhe të ardhmen e përbashkët të qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës. “Kërkoj që sa më parë të izolohen dhe arrestohen këto grupe dhe të krijohen kushte për jetë të qetë dhe normale për të gjithë qytetarët e veriut pa dallim të përkatësisë etnike”, tha ai.

Ai gjithashtu çmon edhe sjelljen e qytetëruar të subjekteve shqiptare që kanë shtrirë aktivitetin në atë pjesë për t’u bërë pjesë e institucioneve të ligjshme që pritet të dalin pas 1 dhjetorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.