Nëse vullneti i popullit të lirë dhe sovran në Kosovë, sipas Kushtetutës tonë, është i deleguar te përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, atëherë për herë të parë pas luftës, ishin deputetët e opozitës së bashkuar si një trup i vetëm, që me veprime politike i hapën sytë të pakënaqurve të shumtë, të përgjumurve, skeptikëve, indiferentëve, por edhe qytetarëve të pashpresë.
Unë do t’i përgëzoja deputetët dhe deputetet për gatishmërinë e lartë që treguan për të hyrë në një betejë tejet të vështirë dhe komplekse kundër marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës, të cilat u nënshkruan, u afirmuan dhe u promovuan nga Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe zëdhënësit e vasalët e tyre, për t’u jetësuar si një e mirë, gjoja, më se e domosdoshme për shtetin e Kosovës.
Sa politikanë të pacipë që janë përfaqësuesit e shumicës parlamentare (PDK-LDK-LISTA SERBE), që pa fije turpi shprehnin arrogancën e numrave, ndërsenin policinë kundër deputetëve dhe mbështetësve të opozitës, i arrestonin, i burgosnin e i përndjeknin. E përse? Të gjitha këto i bënë për t’i hapur rrugë zbatimit të projekteve antishqiptare të Serbisë dhe Malit të Zi!
Sa të pakarakter dhe mburravecë që janë Isa dhe Hashimi, e bashkë me ta edhe sejmenët e tyre, që turpet dhe dështimet e qeverisjes, hajnitë dhe aferat e përditshme, aktet e tyre të ulta, veprime këto që brutalisht fyejnë inteligjencën e secilit qytetar normal, u munduan dhe nuk lanë gur pa lëvizur për t’i fshehur para syve tanë. U thirrën në mbrojtjen e imazhit të Kosovës, të nëpërkëmbur nga vetë ata, duke u ankuar në veprimet politike të opozitës në kuvend.
Sa shumë presion dhe mjete shantazhi u bënë për ta nënshtruar Aleancën, njerëzit e saj, liderin Ramush Haradinaj, vetëm dhe vetëm për t’i dobësuar pozicionet e opozitës së bashkuar në çështjet për të cilat po angazhohet. Qytetarët do t’i ruajnë të freskëta pamjet, kur në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, brenda dhe përreth Kuvendit të Kosovës, policë të veshur me helmeta, të maskuar dhe me mjete të blinduara, pushteti i Isës dhe Hashimit i kishte urdhëruar të vepronin kundër deputetëve që ishin kundër ‘Zajednicës’ dhe kundër copëtimit territorial të Republikës. Qytetarët nuk i harrojnë pamjet e zymta, ku qindra policë e kishin blinduar sallën e seancave plenare për t’i ruajtur lakminë dhe etjen varrmihësve të Kosovës.
Në gjithë këtë katandisje, dorëheqja e qeverisë është hapi i parë, sepse shkeljet kushtetuese tashmë janë konstatuar edhe nga Gjykata Kushtetuese tek e cila Isa dhe Hashimi i kishin var shpresat.
Përse duhet të ndodhë kështu?
Arsyeja e parë: Qytetarët e vendit janë mashtruar, braktisur dhe tradhtuar nga qeveria, e cila i ka sakrifikuar interesat e përgjithshme për të shpëtuar veten nga ndëshkimi i merituar.
Arsyeja e dytë: Qytetarët e Kosovës kanë në krye një qeveri që përfaqëson dhe reflekton shembullin më të keq të kontaminimit dhe komprometimit të proceseve të shtet-ndërtimit dhe funksionalizimit të instrumenteve të tij. Qytetarët e Kosovës vlejnë “pesë para” për qeverinë e koalicionit të kameleonëve që ndërron ngjyrat sipas modës dhe ia “rrjep” lëkurën popullit të vet. “Balta e gjallë” që kërcënon ta mbytë shpresën e qytetarëve të vendit është vepra më e shëmtuar e atyre që e karakterizon këtë shkollë politike të qeverisjes.
Qytetarë të dashur, ju keni përballuar dhimbje, mundime, tragjedi, keni ushqyer shpirtin tuaj me motivin për jetën, keni besuar dhe guxuar të veproni e sakrifikoni atë që kërkoi Kosova dhe liria e saj.
Po tani?!
Fitoren e vjedhur nga Isa dhe Hashimi, si përfaqësues tipik të mashtrimit, ka ardhë koha t’ua rrëmbeni nga duart e tyre të pista. T’i heqim qafe këto mbeturina të së kaluarës që janë veshur me rroba të reja në Kosovën e re! Këto janë relikte që na kushtuan shtrenjtë. T’i japim fund mbështetjes për një qeveri që mbjellë farën e dështimit dhe prapësisë. Le të ikin këta bashkë me marrëveshjet famëkeqe. Më mirë Isa, Hashimi dhe llava e tyre të kenë një fund të mjerë, se sa një mjerim i pafund i popullit me këta në krye!
Smajl Latifi
24 dhjetor 2015