Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar Rezolutën për Kosovën, në të cilën nuk u përfshi asnjë propozim i palës kosovare.
Ndërkohë kaluan të katër propozim-amendamentet e Serbisë, që kanë të bëjnë me respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, veçanërisht asaj për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe; Rritjen e kapaciteteve të UNMIK-ut për ta forcuar bashkëpunimin me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in; lehtësimin e hetimit dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës; si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, veçanërisht asaj të komuniteteve joshumicë.
Me 110 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar Rezolutën me titull “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”, e përpiluar nga deputeti spanjoll Agustin Conde.
Zvicerani Roland Rino Buxhel dhe suedezi Johan Nissinen janë të vetmit që kanë abstenuar në votim, shkruan sot Koha Ditore.
Votimit të Rezolutës në Asamble i ka paraprirë shqyrtimi i disa amendamenteve, ku në momentet e fundit Kosova ka bërë përpjekje të fusë propozime. Mes tjerash ishte propozuar që nga draftrezoluta të hiqet fjalia e cila Kosovën “…e obligon veçanërisht ta implementojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”. Nuk kaloi as amendamenti i propozuar që fjala “Autoritetet në Kosovë” të zëvendësohet me “Autoritetet e Kosovës”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)