Lajmet e fundit

Katër komuna firmosin kthimin e sigurt të të zhvendosurve

Katër komuna të Kosovës: Ferizaj, Shtërpca, Prizreni e Suhareka kanë firmosur angazhimin e tyre për kthim të sigurt të zhvendosurve në komunat respektive.

Organizuar nga CSPP-ja, në Suharekë është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të planit të veprimit të grupeve punuese ndërkomunale për kthim dhe riintegrim dhe grupit punues ndërkomunal për zhvillim ekonomik, bujqësie dhe turizëm, shkruan sot Koha Ditore.Këtë plan e nënshkruan, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ferizaj, Suhareka, komuna e Prizrenit, si dhe komuna e Shtërpcës.

Me këtë rast zv/ministri për kthim dhe komunitete, Çaush Balaj, është shprehur se ministria e ka përkrahur këtë iniciativë, sepse është e mirëseardhur për të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë. Sipas tij, iniciativa të tilla duhet të marrin edhe komunat tjera me qëllim të vetëm që të kemi një kthim të sigurt dhe shumë të mirë për të gjithë personat që kthehen në Kosovë.
Këtë plan si tejet të rëndësishëm, e ka quajtur edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça. Ai ka përgëzuar edhe përfaqësuesit e organizatës CSPP-së për këtë iniciativë.
“Këtë eveniment e shoh si një përmbyllje të suksesshme të një aktiviteti që ka filluar qysh më parë. Më vjen mirë që kanë filluar grupet tona punuese që të bashkëpunojnë mes vete në shumë fusha, si në bujqësi, zhvillim ekonomik dhe turizëm”, ka thënë kryetari Svarça.
Ndërsa përfaqësuesja e CSPP-së Angelika Maser, ka falënderuar këto katër komuna të Republikës së Kosovës, që janë pjesë e grupeve punuese ndërkomunale për kthim dhe riintegrim dhe grupit punues ndërkomunal për zhvillim ekonomik, bujqësie dhe turizëm.
Këtë marrëveshje e kanë vlerësuar tejet lart edhe krerët e komunave të Prizrenit, Suharekës dhe Shtërpcës.U bë e ditur se në këtë plan janë të përfshira aktivitete të përbashkëta ndërkomunale, vizita nëpër komuna tek personat e zhvendosur, ngritja e kapaciteteve për zyrat për komunitete dhe kthim, shkëmbim përvojash me komunat fqinjë, projekte për zhvillimin e komuniteteve, si dhe shumë projekte dhe plane të ndryshme.
Organizata CSPP punon që nga vitit 2005 me Komunën e Ferizajt, ku ka bërë organizimin e një varg manifestimesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.