Lajmet e fundit

KD i ka vetëm 5 vota për ta shkarkuar Rektorin! Mësoni prapaskenat që po ndodhin!

Kur kanë mbetur më pak se 24 orë përpara se të mblidhet edhe një herë Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për ta shqyrtuar kërkesën e Senatit për shkarkimin e rektorit, Ramdan Zejnullahu, me arsyetimin se ky i fundit ka bllokuar funksionimin e universitetit më të madh publik në vend, në prapaskenë po zhvillohen “aktivitete” intensive për dhe kundër tij.

Burime të Gazetës Blic kanë bërë të ditur se deri më tani vetëm 5 anëtarët e Këshillit Drejtues që vijnë nga ana e Universitetit janë për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, derisa 4 anëtarët e emëruar nga ministri Bajrami, ende nuk janë përcaktuar përfundimisht se çfarë qëndrimi të mbajnë, ndonëse parimisht e mbështesin mbetjen e Zejnullahut në krye të UP-së.

“Deri më tani KD i ka vetëm 5 vota për shkarkimin e rektorit. KD-së i duhet të paktën edhe një votë që ta shkarkoj rektorin”, ka thënë ky burim. Sipas këtij burimi, në mbledhjen e nesërme sipas të gjitha gjasave do të jenë vetëm 8 anëtarë të KD-së, pra do të mungoj njëri prej tyre, dhe kësisoj 6 vota, do të jenë të mjaftueshme për rrëzimin e tij.

Ndërkohë, Gazeta Blic ka mësuar se në PDK janë të ndarë për shkarkimin e rektorit. Sipas këtyre burimeve, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami është që edhe më tutje në krye të UP-së të jetë Ramadan Zejnullahu, derisa disa njerëz tjerë të fuqishëm të PDK-së nuk po e duan më Zejnullahun.

“Madje, disa prej tyre po lobojnë që ta sigurojnë edhe një votë, që nesër përfundimisht të shkarkohet Zejnullahu”, ka theksuar ky burim.

Mirëpo, kryeministri i vendit, Isa Mustafa po i jep mbështetje të fuqishme Zejnullahut. Ai sot në një deklaratë për medie ka theksuar se menaxhmenti i UP-së ka bërë një punë të mirë.

“Qeveria që unë drejtoj, në programin e vet e ka të përcaktuar qartë qasjen ndaj arsimit të lartë. UP-në ne trajtojmë si Universitet publik, i cili duhet të shkëputet nga tendencat për ndikim politik, ndërsa mbetet detyrë e organeve drejtuese të Universitetit, Senatit, Këshillit Drejtues dhe Rektorit të angazhohen për thellimin e reformave”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se si rezultat i angazhimeve serioze dhe menaxhimit të mirë, UP është afër anëtarësimit në Sistemin e Bolonjës.

Tash e sa kohë, Këshilli Drejtues i UP-së është ndarë në dy grupe, në ata që vijnë nga UP që me çdo kush e duan rrëzimin e Zejnullahut, duke u thirrur në atë se po e bllokon funksionimin e universitetit më të madh publik në vend, dhe në atë që vijnë nga MASHT-i, por që edhe më tutje vazhdojnë ta shohin Zejnullahun si alternative më e pranueshme.

Gazeta Blic edhe në mbledhjen e fundit të KD-së, duke u thirrur në burime të veta ka raportuar se si KD është detyruar që ta ndërpresë mbledhjen pikërisht për çështjen e kërkesës së Seantit për shkarkimin e rektorit Zejnullahu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.