Instituti Demokratik i Kosovës, ka publikuar studimin e monitorimit të prokurimit publik në Kosovë, sipas të cilit, prokurimi publik vazhdon të mbetet pikë shumë e dobët e institucioneve të Kosovës.
Raporti thotë se për shkak se kontratat e prokurimit publik përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit të shpenzimeve publike të çdo vendi, në Kosovë, ky sektor është shumë i manipuluar dhe i keq menaxhuar.
“Një menaxhim i dobët i prokurimit publik parandalon zhvillimin e mirëfilltë të konkurrencës së tregut, duke krijuar mundësi favorizuese për operator ekonomik të caktuar, dhe humb “vlerën për paranë” duke paguar më shtrenjtë për shërbimet dhe mallrat se edhe në tregun me pakicë, respektivisht duke rritur shpenzimet publike dhe ndikuar negativisht në burimet, apo investimet e kthyera nga Qeveria për tatimpaguesit”, thuhet në raportin e KDI-së.
Diana Metushi nga KDI ka theksuar se kontratat e centralizuara e minimizojnë konkurrencën, dhe se janë institucionet shtetërore ato që duhet të krijojnë strategji për rregullimin e konkurrencës në mes bizneseve që përfshihen në prokurim publik.
Mursel Rraci nga AQP tha se ky studim i KDI-së që i tejkalon përmasat e një karakteri hulumtues, është një studim shkencor dhe gjithpërfshirës.
Sipas tij, këto analiza dhe kritika do të duhej të merreshin si mesazh dhe udhërrëfyes për sektorin e Prokurimit dhe qeverisjen në përgjithësi.
Ndërsa, Safet Hoxha nga KRPP tha se ky raport është një qasje e re, ku KDI përmes një analize kredibile po inkurajon shembuj të mirë të menaxhimit të parasë publike.
“Ne e shohim shoqërinë civile si partner për të vënë rregull dhe për të kursyer paranë publike dhe sugjeroi bashkërendim më të madh midis AQP dhe Inspektoratit të MTI për të siguruar cilësinë e derivateve, që ende mbetet një problem i madh”, tha ai.
Ky aktivitet i KDI-së është organizuar në kuadër të projektit ‘Rritja e efikasitetit dhe transparencës së prokurimit publik përmes monitorimit aktiv për të reduktuar korrupsionin’ e që mbështetet nga Ambasada Britanike në Kosovë.