Rrjedhja e hidrogjenit po e mban peng njësinë A4. Kjo njësi vazhdon të jetë jashtë funksionit që nga 6 qershori i vitit të kaluar, kur një shpërthim në elektrolizerin e “Kosovës A” i paaftësoi dy njësi të këtij termocentrali dhe la të vdekur dy punëtorë të KEK-ut, shkruan sot Koha Ditore.
Kthimi i saj është shtyrë disa herë nga Korporata Energjetike e Kosovës. Fillimisht kthimi i saj ishte planifikuar në fund të muajit dhjetor, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Pastaj, zyrtarë të KEK-ut patën paralajmëruar se ajo do të kthehet në fund të muajit janar. Tashmë jemi në javën e dytë të muajit shkurt dhe se ende ajo është jashtë funksionit.
“Që nga fundi i janarit, KEK-u vazhdimisht ka planifikuar të lëshojë në funksion njësinë A4. Fillimisht ishin bërë plane ajo të startonte në vikendin e parë të muajit shkurt, d.m.th. data 1 dhe 2, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Tani ishte planifikuar që ajo të startonte në fillim të javës së parë, por sërish KEK-u nuk ka arritur të aftësojë këtë njësi”, i ka thënë gazetës një burim brenda KEK-ut.
Madje, tymtari i kësaj njësie është parë tek ka tym gjatë javës së kaluar, që dëshmon se KEK-u disa herë e ka testuar këtë njësi.
