Publicisti Adriatik Kelmendi vlerëson se për dallim nga deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e cila bëri veprën për të cilën beson dhe nuk u fsheh, Albin Kurti, është një egoist i tejpreokupuar me vendin e tij në histori.
Sipas Kelmendit, deputetja e AAK-së e shumë mandateve të Kuvendit, Kadaj-Bujupi, është ngritur për të mbrojtur një qëllim të sajin politik, me mënyrat dhe metodat që i ka vlerësuar si të nevojshme, duke u bazuar në të mirën e vendit dhe të popullit.
“Ajo ka kërkuar tërheqjen e nënshkrimeve nga dy marrëveshjet e Qeverisë, atë për Asociacionin/Bashkësinë… dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Për t’i arritur këto, me vetëdije të plotë dhe me përgjegjësi ka hedhur edhe gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit, në shenjë të bllokimit të punës së Legjislativit si protestë deri në anulimin e marrëveshjeve”, ka shkruar Kelmendi.
Ndërkaq, ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sipas Kelmendit, një veprim heroik si Donika Kadaj – Bujupi nuk e ka bërë edhe kolegu i saj deputet, Albin Kurti.
“Pavarësisht se kanë post të njëjtë me Kadaj-Bujupin dhe po angazhohen si të bashkuar për kauzën e njëjtë, duket se deputeti Kurti veten e mban për një mbinjeri, gjithsesi mbi deputetët e tjerë të opozitës e edhe të pushtetit, pa dyshim mbi kryetarët e partive opozitare, Ymeri, Haradinaj e Limaj, absolutisht mbi liderët e institucioneve politike, Jahjaga, Mustafa e Veseli, pashmangshëm mbi udhëheqësit e gjyqësisë e të policisë, por, fatkeqësisht, edhe mbi gjithë popullin e Kosovës”.
Kjo pasi që sipas Kelmendit, Kurti, duke pasur një fletarrestim në fuqi (edhe pse mund ta klasifikojmë si të orientuar politikisht), është fshehur për ta pamundësuar kapjen nga policia.
Mirëpo, konsideron Kelmendi, në një shkrim të tij autorial, i vetëdijshëm se nuk mund t’i shmanget policisë përgjithmonë e duke mos dashur të largohej nga Kosova, ai kishte programuar edhe ditën se kur do t’i nevojitej atij më së shumti të arrestohej.
“Kurti, një egoist i tejpreokupuar me vendin e tij në histori – në këtë tipar lehtësisht i krahasueshëm me një tjetër egoist të tejpreokupuar me pozitën personale në histori, rivalin kryesor Thaçin – ai vendosi që të krahasohej me më të mëdhenjtë e popullit: Skënderbeun, Ismail Qemalin, Adem Jasharin dhe UÇK-në.
Mirëpo, zgjodhi 28 nëntorin për ta heroizuar vetveten dhe për të poshtëruar dhe rrezikuar të gjithë të tjerët. E kur them gjithë të tjerët, i mendoj në radhë të parë kolegët e tij të partisë, ata të opozitës, por edhe popullin e Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash Kelmendi.