“Muzika bashkon njerëzit”. Me këtë slogan artistët shqiptarë dhe ata serbë do të bashkohen më 7 tetor në të parin koncert të këtij lloji, që do të paraprijë ndeshjen Shqipëri Serbi në stadiumin “Elbasan Arena”.
Një aktivitet i veçantë, i organizuar nga “Living Room Entertainment”, i cili do të bashkojë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe asaj serbe, në një koncert miqësie për të treguar se ajo çka na bashkon është më e fortë se ajo që na ndan dhe se arti nuk njeh kufij.
Organizatorët synojnë që përmes këtij koncerti të ofrojnë një mesazh qytetarie, duke ngjitur në të njëjtën skenë këngëtarë nga Shqipëria, Kosova e Serbia.
Në koncert do të interpretojnë live këngëtarët serbë Marko Nikolic, Ljubomir Sobotovic, Milan Sijak, Filip Pat, Aleksandra Josic dheAmir Karali, transmeton panorama.
Ndërsa muzika shqiptare do të përfaqësohet nga Kamela Islamaj,Marsela Çibukaj dhe Eugent Bushpepa me grupin e tij, që do të sjellin live këngët më të njohura shqiptare të muzikës rock, ndërkohë që nga Kosova do të jenë këngëtarja me zërin e fuqishëm Flaka Krelani dhe grupi “Na”.
Në mbyllje, kënga “Imagine” e John Lenon do të bashkojë zërat e të gjithë artistëve.
Koncerti do të zhvillohet në parkun prapa Kryeministrisë, të mërkurën, 7 tetor, ora 19:00.