Lajmet e fundit

Kërcënimin e Isa Mustafës që s’do udhëtojë në BE s’e merr askush seriozisht!

Kërcënimi i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se shtyrja e liberalizimit të vizave do të sjellë edhe të tjera probleme dhe vështirësi, përfshirë këtu edhe dialogun e Prishtinës me Beogradin si dhe që ai s’do të udhëtojë në vendet e BE-së, nuk ka ngjallur kërshërinë e asnjë kryqyteti në Evropë. Bile, deklarata e Mustafës s’ka bërë as bujë mediale- pothuajse asnjë angjesi e lajmeve nuk ka raportuar për këtë deklaratë e as kryeqytetet politike të Evropës nuk janë prononcuar për këtë gjetje e cila është e pashembullt në historinë e shteteve aspirante për integrime në BE.

Isa Mustafa përndryshe në një intervistë për Kosovapress pardje paralajmëroi se nëse nuk u lejohet kosovarëve të lëvizin të lirë në shtetet e Shengenit, atëherë as ai dhe as kabineti i tij nuk mund të udhëtojnë, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të udhëtojë as për në Bruksel, ku edhe zhvillohen takimet e dy qeverive, të Kosovës dhe Serbisë.

Pesëmbëdhjetëditëshi i parë i janarit do të sjellë rezultate konkrete nga grupet teknike që po merren me përmbushjen e kritereve të pa plotësuara në 8 pikat e mbetura që i hapin rrugë Kosovës për liberalizim të vizave sipas Mustafës.

Ai shtoi se është punuar me një përkushtim shumë të madh në plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave, prej 95 kritereve vetëm 8 kanë mbetur pa u përmbushur plotësisht, dhe për to tashmë janë bërë analizat dhe grupet teknike kanë afatet për përmbushje të këtyre kritereve.

Megjithatë, kryeministri i vendit mendon se Kosovës i janë vënë standarde të dyfishta nga BE-ja në kërkesën për liberalizim të vizave për kosovarët, dhe kjo, sipas tij, është e padrejtë.

Ai thotë se Kosovës nuk duhet t’i bëhet kjo e padrejtë, duke i lënë gati dy milionë qytetarë të izoluar dhe në jetë ndryshe nga i gjithë Ballkani dhe më gjerë.

Se a është ky vendim i drejtë apo jo i BE-së, sipas kryeministrit Mustafa kjo është çështje tjetër, për të cilën ai nuk preferon ta diskutojlë më shumë duke kujtuar se lëshime të mëdha ka bërë BE në shtetet tjera, ndërsa me Kosovën kjo nuk po ndodh.

Mustafa thotë se Kosova ka marrë përgjegjësitë për përmbushjen e këtyre rekomandimeve të mbetura, por ai kërkon që edhe BE-ja të marri përgjegjësitë e saja dhe të mos e zgjasë këtë çështje si punën e lojërave me “llastik”.

Kryeministri Mustafa tha se liberalizimi i vizave për kosovarët do të jetë shans e mirë për të gjithë qytetarët të cilët do ta shfrytëzojnë lëvizjen e lirë për t’u arsimuar, për të parë Evropën dhe për të mësuar nga, siç tha ai, demokracia dhe ekonomia evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.