Lajmet e fundit
Kërkohet përgjegjësi për zgjedhjet

Kërkohet përgjegjësi për zgjedhjet

Britanisë së Madhe i vjen keq që nuk ka ndodhur reforma e sistemit zgjedhor edhe dy vjet e gjysmë pasi një gjë e tillë ishte kërkuar publikisht nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend. Si rezultat i mungesës së punës së partive politike, Kosova hyn në zgjedhjet lokale këtë të diel me sistem të vjetër zgjedhor.

Meqë jemi në këtë situatë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ian Cliff ka kërkuar që partitë të mos fajësojnë sistemin por të mbajnë përgjegjësinë për të dielën e ardhshme dhe të mos provojnë ta cenojnë procesin elektoral. Në të kundërtën, sipas ambasadorit Cliff, perspektiva evropiane e Kosovës do të vuajë. Në një bisedë për gazetën Tribuna, kryediplomati britanik në Kosovë ka thënë se e sheh që ka potencial që këtë radhë zgjedhjet të jenë të rregullta por nuk përjashton mundësinë që diçka të shkojë keq.

“Mendoj se ka një potencial që të kemi proces adekuat këtë herë. Por më duhet të pranoj se gjërat mund të shkojnë keq. Andaj unë inkurajoj çdokënd që është i përfshirë në proces që të punojë për zgjedhje të drejta dhe të lira që meritohen nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Cliff.

Pa tolerancë ndaj keqpërdorimit  të votës

Shefja e diplomacisë amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë thirrje që procesi i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit të kalojë në frymë të qetë ashtu siç i ka hije vendeve demokratike. Ajo ka thënë se për zgjedhje të tilla duhet që të gjithë, duke u nisur nga institucionet, shoqëria civile dhe të gjithë mekanizmat tjerë të japin kontributin e tyre në këtë proces. “Mendoj se roli i shoqërisë civile, i votuesve dhe mediave në këto zgjedhje që shumë shpejt do t’i kemi, është po aq i rëndësishëm sa edhe roli i institucioneve qeveritare për të siguruar mbarëvajtje të duhur të zgjedhjeve”, ka thënë Jacobson derisa ka folur të mërkurën në një debat me temën “Kërko Drejtësi”, të fushatës “Drejtësia dhe qytetarët”.

Ambasadorja amerikane më tej ka shpjeguar se si që nga fillimi ka qenë e angazhuar për t’i ndihmuar zgjedhjet. Në këtë kuadër ajo ka thënë se ka zhvilluar takime të shumta me instanca të ndryshme. Në mesin e tyre hyjnë takime me zyrtarët institucioneve të rendit dhe ligjit të cilët sipas saj kanë dhënë premtime se nuk do të kenë tolerancë ndaj personave që eventualisht do të keqpërdorin votat

Leave a Reply

Your email address will not be published.