Lajmet e fundit
Kërkojnë raport për veriun

Kërkojnë raport për veriun

Komisioni për siguri ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që të jenë të përgatitura për situatat të cilat mund të ndodhin në veriun e vendit. Poashtu kanë kundërshtuar hyrjen e personaliteteve nga Serbia që pa lejen e qeveris ose edhe me lejen tyre, vijnë dhe përkrahin një subjekt politik që është në kundërshtim me interesat e demokracisë në Kosovë.

Kështu u tha në mbledhjen e komisionit të Sigurisë të udhëhequr nga Ahmet Isufi e cila kërkoi që të përgatiten institucionet e sigurisë vendore dhe mos të lejoj hyrjen e individëve që cenojnë integritetin territorial dhe destabilizojnë një pjesë të territorit të Kosovës dhe që mund të ndërhyjnë në procesin zgjedhor dhe të ndërhyjnë në demokracinë e brendshme.

“Me vetë faktin që atje nuk kemi pasur veprime për parandalim të veprimeve të tilla tregon për nivelin e përgjegjësi që kanë institucionet e sigurisë policia, EULEX dhe ky është një mësim që do ta marrin këto institucione në mënyrë që më 17 nëntor të mos lejojnë që asnjë veprim të prish imazhin e zgjedhjeve”, tha Isufi.

Ndonëse policia e Kosovës ka pasur informacione për një situatë të tillë por nuk ka reaguar, anëtari i komisionit Fatmi Xhelili tha se nuk kanë qenë të informuar ashtu në detaje dhe arsyet e mos intervenimit të policisë atje nuk i dinë.

“Për atë edhe kërkuam informatë shtesë nga policia dhe EULEX. Ndoshta është neglizhuar dhe po shihet se është neglizhim në bazë të deklaratave të qytetarëve dhe njerëzve që merren me politik atje. Mirëpo jemi të interesuar të dimë qëllimet dhe arsyet pse nuk është intervenuar me kohë, edhe pse personalisht besoj se policia dhe EULEX kanë pasur kapacitet të mjaftueshme”, tha Xhelili.

Edhe pse EULEX ia ka lënë përgjegjësinë policisë së Kosovës, si autoritet i vetëm i sigurisë, Xhelili tha se nuk mund të jetë përgjegjësia vetëm  e policisë së Kosovës, në asnjë mënyrë sepse dihet se përgjegjës për sigurin publike në atë pjesë është edhe EULEX.

“Policia e Kosovës  është bashkëvepruese dhe ndihmuese në atë proces. Por besoj që policia e EULEX dhe policia e Kosovës të marrin masa shtesë që zgjedhjet e 17 nëntorit të shkojnë në rregull”, tha ai.

Por ndryshe mendon Rexhep Selimi nga LVV i cili propozoi çështjen e sigurisë në veri të shtrohet në rend dite.  Ai tha se policia e Kosovës ka kapacitete të mbajë rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës.

“Besoj se policia e Kosovës ka kapacitete edhe të sigurojë zgjedhje të lira, dhe të ndershme në të gjithë territorin e Kosovës sikur edhe në veri. Këto kapacitet do të duhej ti merrte në veprim qeveria e Kosovës gjë të cilën nuk po e bënë”, tha ai.

Selimi  tha se këto veprime përkundër bindjes së tij që ka kapacitete policia, nuk janë marrë sepse atë ditë nuk e ka caktuar Kosova, por dikush tjetër. “Sikur të caktoheshin këto zgjedhje në Prishtinë, do të organizoheshin shumë më mirë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.