Lajmet e fundit

Këshilltari i Mustafës, ish-pjesëtar i MUP-it të Serbisë

Ivan Tomiq, drejtor i Zyrës për Komunitete në Qeverinë e Kosovës, por edhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, duket se para se të hyjë në politikë, ka qenë pjesë e MUP-it të Serbisë.

KosovaPress ka kontaktuar zyrën për media të Qeverisë së Kosovës, por ata kanë thënë se nuk janë në dijeni të këtyre pretendimeve. Ndërsa, i kontaktuar nga KP, Tomiq e mohon të ketë punuar ndonjëherë për çfarëdo institucioni të Qeverisë së Serbisë.
Burime të agjencisë brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se Ivan Tomiq ka punuar si pjesë e policisë serbe dhe për këtë është njoftuar zyra e kryeministrit, por se ata nuk kanë reaguar deri më tani. Tomiq mendohet se në Policinë e Serbisë ka punuar diku rreth vitit 2008. Ai ka pasur të postuar edhe në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” një foto ku shihet me uniformë dhe me tre gishta të ngritur lartë. Këtë foto ai e ka hequr nga rrjeti social kohëve të fundit.
Gjithashtu, burime të KP-së brenda Qeverisë së Kosovës, bëjnë të ditur se Tomiq është i lidhur ngushtë edhe me rusët. Gjatë këtij viti, Tomiq ka qenë pjesë e një seminari në “Rusko-Srpski Humanitarni Centar” (Qendra humanitare Rusi-Serbi) në Nish, vend ky që nga shërbimet e huaja të inteligjencës njihet si qendër e spiunazhit rus në Serbi. Në këtë vend dhe gjatë kësaj kohe, Tomiqi ka qenë i vetmi serb nga Kosova, gjë që flet për rëndësinë që ka Tomiqi te rusët.
KosovaPress ka dërguar pyetjet edhe me shkrin në zyrën për media në Qeverinë e Kosovës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje për këtë çështje.

Tomiq që nga shtatori i këtij viti është në krye të Zyrës për Komunitete në Qeverinë e Kosovës dhe ndonëse merr pagën nga taksat e qytetarëve të Kosovës, ai askund nuk e ka të publikuar se punon për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe se është këshilltar për komunitete i kryeministrit Isa Mustafa.
I kontaktuar nga KosovaPress, Tomiq ka deklaruar se puna të cilën ai e bën ka të bëjë me identifikimin dhe gjetjen e mënyrave se si t’i ndihmojnë dhe qasen nevojave të komuniteteve në Kosovës.
“Një nga detyrat kryesore këtu është shërbimi ndaj të gjitha komuniteteve në Kosovë. Një nga gjërat kryesore që jam duke i kushtuar vëmendje është identifikimi i nevojave të të gjitha komuniteteve dhe të gjejmë mënyra se si mund t’i përgjigjemi nevojave të tyre. Po ashtu një nga detyrat kryesore që kam unë është këshillimi i kryeministrit në lidhje me komunitetet, kështu që po sa shoh se cilat janë problemet më të mëdha e informoj kryeministrin rreth këtyre problemeve dhe shohim se çfarë mund të bëjmë rreth kësaj”, tha Tomiq.
Para se Tomiq të vinte në krye të Zyrës për Komunitete në Qeverinë e Kosovës, për gjashtë muaj ka ushtruar postin e këshilltarit të ish-kryetarit të Graçanicës, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës.
I pyetur se a i pranon institucionet dhe Republikën e Kosovës, ai jo fort në gjendje të rehatshme tha se shikon punën që bën si çdo punë tjetër dhe se e di se kush është punëdhënësi i tij, ndonëse asnjëherë nuk përmendi fjalën Republikë apo shtet gjatë gjithë kontaktit që pati me ekipin e KP-së.

“E shikoj këtë punë si të gjitha punët tjera. Ndoshta nuk është shumë e lehtë për t’u akomoduar në pozitën e re. Kjo nuk është puna ime e parë në institucione, kështu që kudo ku kam punuar jam angazhuar për të kryer detyrat e mia. Detyra ime kryesore është për të ndihmuar njerëzit. E shihni ku punoj unë. E di kush është punëdhënësi im dhe po përpiqem ta bëjë punën time në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Tomiq.
Tomiq mohoi kategorikisht se kishte punuar në çfarëdo forme për Qeverinë e Serbisë.
“Nuk kam punuar kurrë për Qeverinë e Serbisë. I kam pasur dy puna gjatë kohës sa kam qenë në kolegj. Kam punuar në disa organizata. Kam përvojë të mirë në atë fushë, por e gjithë puna ime që lidhet me institucionet është ajo me Komunën e Graçanicës dhe në zyrën e zëvendëskryeministrit”, tha Tomiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.