Lajmet e fundit

Këshilltari i Thaçit: Protesta e 28 Nëntorit, manipulim i klasit të parë

Ai e ka quajtur këtë organizim si paradoksal, sepse në një datë historike për popullin shqiptar, opozita fton për protesta.
“Por, përtej rimës në fakt del një shpërputhje e madhe kuptimore, sepse ftohet për të protestuar në njërën prej datave më të rëndësishme për kujtesën historike shqiptare, ditën e 28 nëntorit, ditën e festës së flamurit, të pavarësisë së Shqipërisë, festa më tradicionale kombëtare, emocionalisht më e rrënjosura, ditë në të cilën nuk ka sa mos të shfaqet ndjenja e krenarisë kombëtare”, ka shkruar ai. Këto komente ai i ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook./parrotlla.net/

Postimi i plotë i tij:

Festa, pushteti dhe shteti
Edhe në Facebook tashmë ka filluar shpërndarja e ftesës së opozitës për të protestuar më 28 nëntor 2015 te sheshi “Zahir Pajaziti”. Për herë të parë në Kosovë janë pranë e pranë fjala festë dhe protestë, të cilat, ndonëse gjysmë antonime, krijojnë një rimë të puthitur. Por, përtej rimës në fakt del një shpërputhje e madhe kuptimore, sepse ftohet për të protestuar në njërën prej datave më të rëndësishme për kujtesën historike shqiptare, ditën e 28 nëntorit, ditën e festës së flamurit, të pavarësisë së Shqipërisë, festa më tradicionale kombëtare, emocionalisht më e rrënjosura, ditë në të cilën nuk ka sa mos të shfaqet ndjenja e krenarisë kombëtare.
Zgjedhja e kësaj dite për të protestuar hyn në radhën e veprimeve manipuluese të klasit të parë, sepse Kosova është pjesë e botës shqiptare, shtet më vete, i lirë dhe demokratik. Atë ditë secili gjen mënyrën si ta kalojë më mirë, më solemnisht dhe në mënyrën më nderuese të mundshme. Ky veprim është një përpjekje për ta përzier publikun e rëndomtë festiv me atë tufë sigurisht të vogël protestuese, dhe madje të ftuar vishet me ngjyrat dhe shenjat e flamurit kombëtar, kuqezi, gjoja protestues dhe mbështetës të qëllimeve politike të opozitës.
Veprimet e parreshtura të opozitës deri vonë kanë hasur në muret pa vrima, pa të çara, në dyer e dritare të pahapura të pushtetit legjitim. Në emër të linjës së demarkacionit me Malin e Zi dhe të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, opozita gjeti dy shkase, dhe këto dy “argumente” po i përdor si kanxha për t’u kapur në muret e kështjellës së pushtetit. Dihet se për opozitën janë të lejuara të gjitha mjetet demokratike për ta zhveshur pozitën brenda mandatit qeverisës me gjetjen e dobësive (të pushtetit) me ofrimin e vizioneve më të avancuara dhe në procesin e rregullt zgjedhor ose edhe në zgjedhje të parakohshme. Por, synimet e saj nuk ndalen, duke luftuar pozitën (pushtetin) opozita në fakt po dëmton themelin ekzistencial të Kosovës, shtetin. Deri më tani, në Kosovë pushteti institucional është bërë dhe ka funksionuar sipas një modeli të rregull, ndërkaq, që disa javë opozita ka krijuar situatë të re. Përtej debatit të rregullt, ideve, vizionit dhe argumenteve parlamentare ajo gjeti edhe mjetet për funksionalizimin e shkasit: bllokimin e e seancave të kuvendit, pushtimin fizik të foltores, përdorimin e gazit, sprejit, hedhjen e shisheve, vezëve, përdorimin e bërrylave etj.
Këto metoda “efikase” të opozitës përçuan me javë të tëra pamje jetë rënda të Kosovës në arenën ndërkombëtare, por edhe në rrafshin e brendshëm. Veprimet e opozitës bënë që Kosova ta ketë më të pranishme “fytyrën” e forcave të rendit. Njësitë e policisë së Kosovës (shteti) u ballafaquan me sulme të ashpra, të pamerituara nga një dorë protestuesish që pa mëshirë dhe me arrogancë po hedhin mbi ta gurë, koktej molotovi dhe gjithçka gjendet në rrugë.
Veprimet e opozitës treguan se shteti ka një polici të edukuar dhe të trajnuar, e cila me pedanteri dhe përkushtim profesional e kryen detyrën e saj. Derisa brenda Kuvendit të Kosovës deputetët e pozitës me kulturë dhe pjekuri tejkaluan përleshjet fizike, përkundër provokimeve me bilbila, bllokadë foltoreje etj., jashtë, përreth ndërtesave të institucioneve në sheshe dhe rrugë policia e Kosovës nuk ia plotësoi dëshirën aspiratës politike të opozitës me ndonjë akt ekstrem, dhe kështu të prodhojë edhe shkase tjera “efikase” dhe argumente” shtesë për protesta dhe thellim të tyre.
Duke prekur në integritetin e institucioneve të Kosovës, opozita dëshmoi se përtej synimit për ta ndërruar pushtetin është e gatshme për ta rrënuar shtetin. Sulmi i ndërtesës së stacionit policor qendror ditë më parë, alivanosja e policit të trafikut para tre katër ditësh, djegia e veturave zyrtare, madje edhe ajo e Galerisë së Arteve, nxjerrja e qytetarëve nga vetura nga një zyrtar i lartë i një subjekti politik, tregon për ngatërrimin e pushtetit dhe të shtetit. Madje veprimet e fundit të opozitës dëshmuan se për interesa të ngushta dikush e ka gatishmërinë për ta bërë shkrumb këtë vend.
“Filozofia” këmbëngulëse e Vetëvendosjes, nëse asgjë të mirë nuk prodhoi me skenat e këtyre javëve, si së paku arriti ta nxjerr në pah para publikut të gjerë fytyrën e vërtetë të disa figurave politike -përpjekjen për ta instaluar kulturën e rrëzimit të pushtetit me mjete dhune dhe mosrespektimin e institucioneve. Kur njerëz në krye të subjekteve politike dhe të zgjedhur nga populli e sfidojnë shtetin, e tallin me fjalët “ejani dhe më arrestoni”, ose “nuk e kam ndërmend të paraqitem ne polici, gjykatë” etj., atëherë çka të kërkojmë nga qytetarët tanë të rëndomtë, e lëre më nga ata që kane strukturë devijante.
Kjo filozofi, mjerisht, bëri që të del në shesh mungesa e vetëdijes së lartë shtetformuese e liderëve të opozitës dhe disa prej të të zgjedhurve me vota të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.