Këshilltarja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dhurata Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes Vjosa Osmani në lidhje me fjalimin e Kryetarit të Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, në Konferencën e Parë vjetore për Partneritet midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Shoqërisë Civile.
“E nderuara deputete,
Po ju shkruaj në lidhje me reagimin e juaj ndaj fjalimit të Kryetarit Veseli, ju ftoj që së pari ta lexoni fjalimin e Kryetarit Veseli, sepse po të kishit qenë prezente në Konferencë, edhe pse keni qenë e ftuar, do të kuptonit se fjalimi i Kryetarit Veseli është thirrje për një partneritet edhe më të madh në mes të Kuvendit dhe Shoqërisë Civile – e jo presion, por thirrje për bashkëpunim.
Ndërsa sa i përket skutave që ju i përmendni jashtë kontekstit nuk janë thirrje për të biseduar nëpër skuta, por thirrje për shoqërinë civile që të rrisim bashkërisht transparencën në Kuvend. Skutat të cilave u është referuar kryetari Veseli janë skutat e errëta të mos-sqarimit të mëditjeve të Deputetëve, posaçërisht mëditjeve të vendbanimit, udhëtimit, pjesëmarrjes nëpër seanca! Pra, Kryetari Veseli ka kërkuar bashkëpunimin edhe më intensiv në mes të Kuvendit dhe Shoqërisë Civile me qëllimin e vetëm te rritjes së transparencës në institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju ftoj ta lexoni fjalimin e Kryetarit Veseli!”, ka shkruar këshilltarja e Veselit në llogarinë e saj në Facebook.