ETOMETRI SHQIPTARE (II)–Ka ditë që eksponentë të ndryshëm të shoqërisë civile dhe politikës kërcënojnë me plasjen e një luftë civile në vend. Ku bazohen ata, ku i kanë faktet? Përgatiten AAK, NISMA dhe Vëveja të dalin si guerilë maleve? Apo kemi të bëjmë me histeri të qëllimtë të disa populistëve që nëpërmjet autosugjestionit konfirmojmë tezën serbe se rajoni kërcënohet nga një luftë civile kosovare që do të ndodhë sapo të hiqen të huajt prej aty.
Shkruan Jon LEKA
Nuk është frikë. As mundësi e bazuar në realitetin aktual nuk është. Kërcënim është. Është tendencë e hapur për t’i shantazhuar masat pro një versioni ideologjik nëpërmjet kanosjes me luftë civile. Del të jetë mjeti i fundit substancëhelmtë i aspirantëve të rinj që synojnë me çdo kusht pushtetin. Ideatorët e «rrezikut nga shpërthimi i afërt i luftës civile» besojnë pra se duke frikësuar masat me më të keqen do t’i grumbullojnë ato në favor të egokauzës së tyre politike. Po, për pushtet e jo për më mirë, më lirë, për më shumë stabilitet dhe humanitet. Kjo ipso facto ngase e mira – në këtë rast qeverisja dhe shteti i qytetarëve – kurrë nuk u ndërtua mbi gërmadhat e kufomave të revolucioneve e luftërave civile. Sa herë u ndërtua mbi varret, skeletet dhe dramat e njerëzve rezultoi në një burg edhe më të shëmtuar se ai paraprak. Kështu flet historia: e mira e një shoqërie nuk ka si lind nga tymi i krimeve masive ndërqytetare. Nga luftëra të tilla lindin armiqësi të reja, drama, tragjedi dhe krime, krijohet edhe një kujtesë plus; depresive, traumatike, e cila për dekada do të valëvitet tmerrit të mosdurimit për t’u hakmarrë – patjetër dhe më së «lehti» sërish nëpërmjet ndonjë luftecivile të radhës, respektivisht paramilitare, një lufte të tillë ku grupe komitësh ideologjikë do t’i luftojnë kolegët e tyre të taborit tjetër për tua marrë pushtetin.
Asnjëherë shteti i mirë nuk u ndërtua ndryshe përveçse duke u nisur nga një bazë ekzistuese institucionesh dhe rendi. Nuk ka shtet në botë, në historinë e të cilit mund të lexosh se që ditëve e viteve të para gjithçka u bë dhe funksionoi përkryer; ekonomia, politika, institucionet. Një histori të këtillë nuk e ka as Zvicra, e cila tash e shtatëqind vjet bën shtet dhe ende vazhdon djersitshëm të korrigjohet, përmirësohet dhe atë herë duke ngatërruar drejtimin e herë duke ecur edhe më përpara. Gjithmonë duke u drejtuar herë nga disa e herë nga tjera parti konform vullnetit, votës së demosit.
E ç’besojnë të jenë ata kosovarë që zotohen të ndërtojnë shtetin më të fortë dhe të pastër brenda më pak se një dekade, pa qenë kurrë shtet në histori? Kanë përshtypjen parti të caktuara se janë të pajisur me shkathtësi hyjnore; se janë supermenë, magjistarë që me dy fryrje religjioze e shporin korrupsionin (sidomos e paraprakisht nga vetja), anomalitë dhe gjitha ato defekte të shumta që asistohen edhe nga mentaliteti i masave e jo vetëm i politikës?
Po t’i lëmë këto konteste dhe t’i qasemi seriozisht kuazitezës së luftës civile. Qenka Kosova vërtet në prag të luftës civile? Ta shohim njëherë se ç’ është lufta civile dhe si ndodhë ajo?
Si LUFTË CIVILE konsiderohen konfliktet e armatosura ndërmjet rebelëve, gueriles, kryengritësve dhe shtetit. Luftëra të tilla në historinë më të re dhe aktualisht janë bërë e zhvillohen në Çad (1966 – 1989), Liban (1975 – 1990), Afganistan (1978 e vazhdon), Libi dhe Siri (që nga viti 2011). Në të gjitha këto vende –mbi të cilat tashmë studimet janë rritur biblioteka në vete – konfliktet kanë një rezultat unik deri më tani: shkatërrimin total të vendeve të tyre, nxitjen e katastrofave demografike dhe miliona kufoma. Me siguri jo këto tmerre janë kauzat e propaganduara nga palët në konflikt, por religjioni, demokracia, kushtet më të mira sociale, ekonomike e gjepura tjera, mirëpo ky është rezultati real, brutal. Dhe ai është apokaliptik, antihuman, kriminel, zhbërës qeniesh, natyre e shprese.
Tani në sajë të këtyre njohurive të përpiqemi ta parafytyrojmë se si do të dukej një luftë e tillë në Kosovë?
Pas vezëve, shisheve, sharjeve dhe aksioneve tjera parapolitike Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj formojnë guerila maleve të Dukagjinit dhe Malishevës. Vëveja shndërrohet në shtab agjitimi, komunikimi e divizioni për kapjen me ndërhyrje të shpejtë të institucioneve publike. Të apostrofuarit kanë siguruar armë, infrastrukturë dhe njerëz për aksionin e tyre. Edhe aleatët e mundshëm eksternë janë siguruar. Tashti pritet dita kur të kërcasë. Këto informata të materializuara duhet t’i kenë personat që kërcënojnë me luftë civile. I kanë? Ata që deri më tani dolën si altoparlant të regjimit histerik të këtij kërcënimi nuk janë idiotë, atëherë e dinë se lufta civile nuk është business-project-plan për një qebaptore në bregun e diellit, por ndërmarrje serioze që kërkon parapërgatitjet që i listuam lartë. Apo shtabi, infrastruktura dhe elementet e nevojshme për luftë civile gjenden diku tjetër e guerilët shqiptarë do të ishin vetëm instrumenti që aktivizohet saora? Për shembull: Kush dinë dhe është i informuar me përmbajtjen e korrespondencës diplomatike serbe – pra raportet drejtuar qeverive të huaja – është i njohur me faktin se një nga tezat që nuk mungon kurrë është ajo e «kërcënimit të paqes në rajon nga një luftë civile kosovare, që mund të ndodhë në çdo rast». Rusët shkruajnë njëjtë. Tezë që sugjeron se kosovarët nuk janë në gjendje të ruajnë shtet nëse nuk i ka dikush nën kontroll. Nuk besojmë hiobët e luftës civile të jenë në shërbim të politikës ruse-serbe, nuk na duken ashtu. Më shumë duken si të infektuar me implantatin serb që nëpërmjet autosugjestionit i detyron t’i shërbejnë një psikoze të caktuar dhe në këtë rast asaj që duan serbët që nuk le metodë pa e provuar për ta shkatërruar Kosovën – edhe hapur!
Nuk besojmë që Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj të jenë katapultuar në një gjendje aq të rëndë psikomorale saqë t’ia rendisin Kosovën Libisë, Sirisë dhe Afganistanit. Kërcënimi me luftë civile do të jetë vepër provokatorësh të shëmtuar që ëndërrojnë të plasë një gjë e tillë që pastaj nga disa megamonitorë në ndonjë bodrum të Kalamegdanit – siç bënin disa gjatë luftës që shkoi – apo të perëndimit të mprehin dhëmbët duke ëndërruar kthimin si primatë të vendit të bërë gropëvarr. Do të ktheheshin si triumfues pasi që dolën profetë botëbërës. Thjeshtë: pas Apokalipsit shfaqen mesitë për ta rindërtuar botën nga fillimi.
MASAT NUK DUAN LUFTËE MË HIÇ CIVILE. Kemi të bëjmë me një popull që edhe në tmerrin më të madh të robërisë dhe etnocidit refuzonte masivisht luftën si opsion. I gjithë problemi nuk ka madje fare me atë se çka donë populli. Origjina e problemit është se: Kosova aktualisht gjendet edhe nën presionin e populistëve tëkëqij, politoinjorantëve që gjithmonë operojnë me panikun, kërcënimin, frikëmbjelljen në shoqëri me synimin që asaj t’i prezantohen si zgjidhja e vetme. Pra në stilin: ecë me mua se përndryshe plasi lufta. Është fjala për karikatura fusheniane që opinioni i shoqërive me arsimim modest as që i përfill ose i zhvesh siç janë dhe i heq nga skena duke i injoruar aq thellë saqë shpesh edhe emigrojnë.
E nëse ne e kemi gabim dhe vërtet plasë lufta civile atëherë kjo nuk do të jetë vepër e kosovarëve, por e tjerëve që do të arrijnë si edhe disa herë tjera në histori ta detyrojnë shqiptarin në vetëvrasje. Budallenj ka gjithmonë. Se a janë budallenjtë kësaj radhe AAK, NISMA dhe vërtete po përgatitkan diçka ua lëmë atyre që ta thonë vetë.