Lajmet e fundit

Këtë vit, katër raste të reja me HIV/AIDS

Sëmundja vdekjeprurëse e infeksionit HIV, këtë vit ka prekur edhe katër persona të tjerë. Në mesin e 23 pacientëve, sa aktualisht po trajtohen në Klinikën Infektive në Prishtinë, katër janë që u identifikuan këtë vit. Në këtë klinikë thonë se janë të përgatitur mjaftë mirë për trajtimin e këtyre pacientëve, dhe janë të furnizuar me terapi edhe për një vit.

Ndërsa organizatat që merren me parandalimin e kësaj sëmundje, thonë se informimi i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve do të ndihmonte në mosrritjen e numrit të të prekurve. Meqë, sipas tyre, numri është më i madh sesa ai i lajmëruar në klinikë, veçse të prekurit hezitojnë të mjekohen e të tregojnë për sëmundjen që kanë për shkak të paragjykimeve që mund të kenë nga shoqëria.

Infektologu, njëherit shef i repartit për sëmundje transmisive seksuale, Murat Mehmeti thotë për KosovaPress se katër rastet e prekura me HIV/AIDS që u shtuan këtë vit, janë mjaftë shqetësuese.

Ai tregon se nëse pacienti e merr terapinë m e rregull, që nga koha kur ajo i përshkruhet nga mjeku, ai do të ketë mundësi të bëjë një jetë normale.

Ndërsa, shefi i Infektives, Hamdi Ramadani bënë të ditur se nga 23 rastet sa janë duke u trajtuar aktualisht në klinikë, 19 janë të gjinisë mashkullore dhe 4 të asaj femërore.

Duke ditë se shoqëria kosovare nuk është gjithmonë e hapur me të prekurit me këtë infeksion, dhe jo rrallë herë njerëzit me këtë sëmundje paragjykohen e nuk kanë vend në shoqëri, organizatat që merren me këtë çështje, thonë se duhet të punohet shumë në ndërgjegjësimin e njerëzve ndaj të prekurve.

Aulonë Kadriu, nga organizata PEN, mendon se numri është ende më i madh sesa ai i lajmëruar në klinikë, por frika nga reagimet e njerëzve nuk i len të prekurit të deklarohen.

Se shumë persona i hezituan mjekimit e thotë edhe infektologu Murat Mehmeti.

Në Infektive thonë se janë të furnizuar edhe për një vit me terapinë e nevojshme për trajtimin HIV/AIDS-it. Ata kanë repartin e veçantë për sëmundje seksualisht të transmetueshme, ku pacientët shkojnë protokolohen, marrin terapinë ambulantore dhe kthehen në shtëpi.

Ministria e Shëndetësisë me përkrahje të UNICEF’it, po vazhdon të sigurojë terapinë falas për pacientët e prekur me HIV/AIDS.

Kjo sëmundje kërkon trajtim gjatë tërë jetës. Përhapja e saj bëhet përmes kontaktit apo produkteve të gjakut. Personat me këtë sëmundje kanë imunitet më të dobët dhe nëse nuk mjekohen vdesin.

Nga viti 1968 e deri më tani në Kosovë janë të identifikuar rreth 100 persona të prekur me HIV/AIDS.

Në krahasim me rajonin, Kosova ende po qëndron mirë sa i përket të prekurve me këtë sëmundje. Sipas UNAIDS, shkalla e pervalencës në Kosovë është e ulët në 0.1 për qind./Koso

Leave a Reply

Your email address will not be published.