Këshilli Drejtues nesër pritet të marrë një vendim mbi fatin e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Pas një mbledhje që patën dje në Senat, ku u ballafaqua Senati me Menaxhmentin, KD pati rastin të dëgjoj të dyja palët. Mbledhja nuk ishte e hapur për media. Tribuna Channel ka arritur të siguroj nga burimet e saj dokumentet me të cilat rektori Ramadan Zejnullahu akuzohet nga Senati i UP-së
Këshilli Drejtues nesër në ora 16:00 pritet të vendosë për fatin e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Ramadan Zejnullahu. Kërkesa e Senatit të UP-së për shkarkimin e rektorit nëpërmjet një peticioni u shqyrtua me një mbledhje maratonike prej nëntë orësh, në të cilën Senatorët dhe Menaxhmenti i UP-së, i paraqitën argumentet e tyre para Këshillit Drejtues të UP-së.
Mbledhja ishte e mbyllur për media, por Tribuna Channel ka arritur që të siguroj disa dokumente me të cilat, akuzohet rektori nga senati për shkeljet e bëra në UP.
Tribuna Channel ka dy javë që provon të vë kontakt me rektorin Zejnullahu, por ky i fundit nuk na është përgjigjur.
Në dokumentet të cilat i ka siguruar Tribuna Channel shkruan se rektori Zejnullahu ka shkelur nenin 47 pikën 1.3 dhe nenin 48 pikën 1.8, pastaj edhe nenet 100, 101 dhe 102 ku ia ka marrë Senatit dhe Komisioneve të njësive akademike kompetencat në lidhje me avancimet e personelit akademik në UP. Tek neni 102 sipas dokumentit, thotë se rektori ka bërë shkelje edhe duke lënë prorektorin Fetah Podvorica në Komisionin për Studime, pasi statuti i UP-së, përcakton se vetëm prorektori për çështje mësimore ka të drejtë të jetë pjesë e komisionit.
(Klikoni në foto për kualitetet më të mirë të fotos)
Në dokument, gjithashtu shkruan se Senati akuzon rektorin për shkeljen e nenit 173, gjegjësisht pikat 1, 2, 3, 5 dhe 8, ku rektori ka bërë shkelje duke mos zbatuar procedurat për përzgjedhjen e stafit akademik në rastin e fakultetit Filozofik, ku shkruan se Senati merr vendimin përfundimtar për avancime të personelit, nëse më herët është refuzuar ai propozim.
Rektori ka bërë shkelje edhe kur ka mbyllur mbledhjet e Senatit njëanshëm duke mosrespektuar rregulloren e punës, dhe kjo sipas dokumentit shkel rregulloren e punës së senatit, në të cilën rregullore shkruan se udhëheqësi i mbledhjes ka të drejtë ta mbyllë mbledhjen vetëm nëse mbledhja nuk mund të përfundoj në të njëjtën ditë apo, kur prishet rendi i mbledhjes dhe nuk mund të vihet rendi nga kryesuesi.
Shkelje sipas dokumentit në fjalë evidentohen edhe tek neni 13 pika 1 e statutit të Universitetit, ku i është mohuar e drejta senatit për të propozuar lirshëm rendin e ditës, dhe gjithashtu i është mohuar e drejta senatit për të votuar propozimet e këshillave të fakulteteve dhe të parlamentit studentor.
Në dokument shkruhet se rektori ka shkelur edhe nenin 29 pikën 3 duke mosparaqitur në mënyrë korrekte rrjedhën e punimeve të mbledhjeve.
Sipas dokumentit rektori ka shkelur edhe rregulloren me numër 1/101, ku është anashkaluar rregullorja për procedurat vlerësuese në avancimin e stafit akademik dhe në ndërprerjen e studimeve të doktoratës dhe se është viti i dytë që është duke ndodhur kjo.
Në dokument shkruhet se edhe në pikën 7 të shkresës së senatorëve, janë evidentuar aplikime të standardeve të dyfishta, me rastin e avancimeve në Fakultetin e Mjekësisë, pastaj në atë të Fakultetit Ekonomik ku një kandidatë është refuzuar për shkak të tejkalimit të moshës e cila kishte vetëm 50 vjet ndërsa një tjetër kandidate tjetër me moshën mbi 60 vjeçare është lejuar të zgjidhet pavarësisht limitit të moshës. Aty është i përmendur edhe rasti me Fakultetin Filozofik ku ligjëruesi A.S. i cili angazhohet që dy vite mësimdhënës, përkundër që ka plotësuar konkursin e fundit, rektori e ka bllokuar duke mos e lënë senatin që të votoj.
Dokumenti shkruan se në pikën 8 të shkresës së senatorëve përfaqësohet dështimi i rektorit ku nga shuma e përgjithshme vjetore për investime kapitale të parashikuara për vitin 2015 e që janë rreth tre milion e gjysmë euro deri në tetor janë realizuar afërt 17% të investimeve. Si pasojë Ministria e Financave ia ka shkurtuar UP-së buxhetin për vitin 2016-2017 për afro tre milionë euro.
Lidhur me pikën nëntë të shkresës së senatorëve, në dokument thuhet se është penguar Fakulteti Filozofik për të aplikuar edhe në projekte ndërkombëtare.
Ndërsa lidhur më pikën 10 të shkresës së senatorëve në dokument thuhet se është e papranueshme për senatorët që të cilësohen nga rektori si ‘profesorë dhe studentë analfabetë’, ‘grupe kriminale brenda UP’, ‘profesorë llaskucë’, ‘profesorë dhe studentë plagjiatorë’, Mjek të sëmura etj.
Sipas shkresës së senatorëve në pikën 11, në dokument thuhet se rektori nuk ka ndarë asnjë fond për stafin për të zhvilluar projekte dhe veprimtari shkencore.
Tribuna Channel ka arritur që të siguroj edhe një dokument në të cilin shkruhet se rektori Zejnullahu ka lejuar që Universiteti i Prishtinës, ta humbë projektin ERASMUS+, për shkak të mosnënshtrimit të tij, dhe ky program tani është bartur në dy kolegjet private Fama dhe UBT.
Rektori Zejnullahu akuzohet gjithashtu edhe për ndryshimin e konkursit për afatin e provimeve për studime themelore, pasi ky konkurs ishte miratuar edhe nga Ministria e Arsimit.
Rifat Krasniqi, përfaqësues i studentëve në Senatin e UP-së, thotë se me konkursin të cilin Senati ia ka dërguar MASHT-it dhe është aprovuar, rektori e ka ndryshuar atë konkurs.
Sipas Krasniqit, në afatin për regjistrimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, gjegjësisht në departamentin e Stomatologjisë ka qenë e paraparë që 70 studentë ndërsa në departamentin e Farmacisë të pranohen 40 studentë. Por rektori e ka ndryshuar konkursin thotë Krasniqi pasi për departamentin Stomatologji ka hapë konkurs për vetëm 50 studentë, ndërsa për departamentin Farmaci vetëm 30 studentë.
Fotoja më poshtë paraqet konkursin dhe vendimin për numrin e studentëve nga Senati dhe MASHT.
Fotoja me poshtë tregon konkursin e publikuar nga rektorati.
Inspektorati i Arsimit i kishte kërkuar rektorit që të kthente konkursin paraprak dhe të regjistronte studentët të cilët ishin ankuar.
Por një gjë e tillë nuk është zbatuar asnjëherë nga Menaxhmenti i UP-së
Këtë numër prej 30 studentëve, Rifat Krasniqi përfaqësues i studentëve në Senatin e UP-së, thotë se si duket është bartur në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore, gjegjësisht në një program që quhet “Matematikë Financiare në Banka dhe Sigurime”, e që sipas Krasniqit ky program nuk është i votuar dhe miratuar as nga Senati e as nga Ministria e Arsimit.
Fotoja më poshtë tregon konkursin e publikuar nga rektorati.
Fotoja më poshtë tregon konkursin i cili ka qenë i miratuar nga Senati i UP-së dhe MASHT-i./Gazeta Tribuna