Lajmet e fundit

Këto janë shtetet që mund të përjashtohen nga zona “Schengen”

Shtetet e Evropës Lindore do të përjashtohen nga zona e lëvizjes së lirë së BE-së “Schengen” së bashku me Greqinë, Spanjën dhe Italinë në kuadër të një plani radikal për ta shpëtuar lëvizjen ‘pa pasaporta’ në Bashkimin Evropian, pas krizës së fundit me refugjatë dhe sulmeve terroriste në Paris, shkruan “Daily Mail.”

Një takim emergjent i ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë të BE-së është thirrur për të sot në Bruksel pas sulmeve të fundit në Paris, ku do të diskutohet për rishikimin e zonës “Schengen.”

Mbledhja është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa përpara samitit liderët kanë diskutuar për efektin e një zone më të ngushtë të lëvizjes pa pasaporta në BE.

Belgjika, Franca, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania planifikojnë të tërheqin marrëveshjen për lëvizje të lirë, duke e kthyer në gjendjen origjinale kur anëtare ishin vetëm vendet e lartcekura, duke e krijuar një zonë “Mini-Schengen”, transmeton KosovaPress.

Po ashtu kontrolle strikte mund të nisin të zbatohen për verifikim sistematik të pasaportave për krahasim të emrave të të ardhurve në data-bazën kundër-terrorizëm, që mund të ndikojë në krijimin e radhëve edhe më ta gjata të emigrantëve dhe refugjatëve që presin në kufi për të hyrë në BE.

Që të pesë vendet kishin hequr kufijtë ndërmjet vete 20 vite më parë, por që nga atëherë zona e lirë e udhëtimit në Evropë është zgjeruar në mënyrë drastike, duke e sjell numrin e shteteve me kufi të liberalizuar në 26.

Aktualisht, zona “Schengen” mbulon të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Qipros, Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë. Shtetet jo anëtare të BE-së që janë pjesë e zonës “Schengen” janë Norvegjia, Zvicra, Litenshtajni.

Derisa spiralja e krizës me refugjatë ka goditur Evropën, zona “Schengen” është fajësuar për lejimin e turmave të mëdha të refugjatëve të hyjnë në BE pa u kontrolluar fare në një zonë të gjerë në kontinent

Leave a Reply

Your email address will not be published.