Lajmet e fundit

Kirby: Nuk pajtohemi për Kosovën, por pse ta rrëzojmë Vuçiqin?

ShBA nuk e kanë asnjë arsye të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby.

Ai ka theksuar se ShBA është shumë e kënaqur me punën e Qeverisë serbe në krye me kryeministrin.

“Kam biseduar me Vuçiqin dhe i kam thënë qartë se Amerika nuk e rrëzon Qeverinë tuaj sepse nuk e ka asnjë arsye për këtë”, ka theksuar Kirby duke u përgjigjur në pyetjen gazetës Blic të Beogradit nëse ka folur me kryeministrin lidhur me pohimet se disa vende perëndimore po punojnë për ta rrëzuar Qeverinë e Serbisë, transmeton Koha.net.

Diplomati amerikan ka numëruar shumë gjëra të cilat Qeveria dhe Vuçiq i bëjnë e me të cilat ShBA është e kënaqur e që janë: Përpjekja për hyrje të Serbisë në BE, pjesëmarrja konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, vendosja e bashkëpunimit me Shqipërinë, shkuarjet e Vuçiqit në Srebrenicë, reformat protregtare ekonomike, marrëdhëniet e frytshme me Amerikën në bashkëpunimin ekonomik ushtarak.
“Dhe për të gjitha këto të mira të Qeverisë së Serbisë më meritori në punë është mu kryeministri”, ka thënë Kirby duke u pyetur se pse atëherë do të rrëzohej Qeveria e tij?

“Kjo nuk do të kishte kurrfarë kuptimi”, ka thënë Kirby i cili pret që ngjarjet më të fundit në UNESCO lidhur me Kosovën kur ShBA dhe Serbia ishin në anë të kundërta, nuk do të ndikojnë në keqësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Është e ditur se Serbia dhe Amerika nuk pajtohen për çështjet lidhur me statusin e Kosovës, porse ne pajtohemi për procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës me mbështetje të BE-së që nuk e nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia” ka thënë diplomati amerikan duke shtuar se “edhe rreth Kosovës, gjatë disa viteve paraprake, kemi arritur përparim në mirëkuptim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.