Ndërkombëtarët do të bëjnë përpjekje që në asnjë mënyrë të mos e lejojnë bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës, para se të kompletohet e tërë infrastruktura e nevojshme ligjore për funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic disa burime ndërkombëtare.
Sipas këtyre burimeve, kjo është edhe arsyeja kryesore pse ambasadorët e akredituar në Prishtinë, po kërkojnë me ngulm që të vazhdohen seancat e Kuvendit.
“Ju e patë edhe mënyrën se si Ambasadori Amerikan në Kosovë, vetëm pak minuta pasi përfundoi seanca e së premtes, ndonëse në një sallë të improvizuar, e përshëndeti mbajtjen e saj”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, ndërkombëtarët janë duke bërë presion që sa më parë të kompletohet kjo infrastrukturë ligjore për Gjykatën Speciale, e sidomos marrëveshja me Holandën për ekstradimin e të akuzuarve të mundshëm për krime lufte. “Dihet se marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve, prandaj është interes i bashkësisë ndërkombëtare që të mos ketë asnjë lëvizje, derisa të mos miratohet Marrëveshja për Ekstradimin e të Akuzuarve nga ana e Gjykatës Speciale. Sidomos, kur e kemi parasysh faktin se ky është koalicion i numrave”, ka thënë ky burim.
Partitë opozitae, tash e sa kohë po e bllokojnë punën e Kuvendit, duke mos e lejuar zhvillimin e seancave plenare, pa tërheqjen e nënshkrimit të Kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshjet e Asociacionit të Komunave Serbe dhe të Demarkacionit me Malin e Zi.
Pavarësisht kësaj bllokade, të premten që lamë pas, koalicioni PDK- LDK në një sallë të improvizuar e zhvilloi seancën e Kuvendit. Ndërkohë, për 2 nëntor është caktuar seanca e radhës, pavarësisht që opozita ka paralajmëruar bllokadë të sërishme.