Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me djegien e veturës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi.
Me këtë reagim KMLDNJ kërkon që mos të paragjykohet ky rast dhe mos të fajësohet askush pa u gjetur fajtorët.
Reagimi i KMDLNJ-së:
Persona të panjohur deri më tani, ia vënë flakën veturës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi me ç’ rast , për fat të mirë , përveç dëmeve materiale nuk pati viktima tjera.
Kohëve të fundit u rrit ndjeshëm sulmi ndaj veturave zyrtare sikur që ishte edhe një sulm i sinkronizuar kundër veturave zyrtare në katër qytete të Kosovës në ndërkohë që vetëm kryesi i një sulmi u identifikua dhe u arrestua.
Pas vënies së flakës së veturës zyrtare të z. Ibrahimi në Besianë, pati shumë deklarata akuzuese dhe mbrojtëse që “identifikonte” edhe motivin sikur edhe kryerësin e këtij su lmi në ndërkohë që hetimet për këtë rast vetëm sa kishin filluar.
Për KMDLNj-në është i papranueshëm fakti se sa me lehtësi të pakuptueshme adresohet fajësia ende pa përfunduar hetimet e që në fakt paraqet ndërhyrje flagrante në procesin e hetimeve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Andaj, KMDLNj kërkon nga prokuroria e shtetit të fillojë hetimet në bazë të deklaratave publike të politikanëve dhe të tjerëve që po e dinë adresën e atyre që ia vunë flakën veturës së z. Ibrahimi dhe në rast se këto deklarata nuk mbështeten në fakte , të nisin hetimet ndaj atyre që deklarojnë rrejshëm.
KMDLNj e gjykon këtë rast si sulm ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar hetime të paanshme, të pandikuara politikisht dhe vetëm pas sigurimit të provave gjyqi duhet të jetë përcaktues i fajësisë apo pafajësisë për të dyshuarit.
KMDLNj kërkon përm bajtje në deklarimet e politikanëve të ndryshëm, që , duke bërë përpjekje të përfitojnë politikisht nga ky sulm kriminal vetëm sa kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës dhe ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.
Fjala dhe deklarimi publik sidomos në raste kur janëtë ndjeshme bart përgjegjësinë publike, morale dhe ligjore.
Pas këtyre sulmeve ndaj veturave zyrtare, KMDLNj e sheh një tendencë të përshkallëzimit të situatës së sigurisë dhe nëse hetuesia nuk arrin të ndërpresë këtë zinxhirë të dhunës, nuk përjashtohet as dhuna ndaj personave të shënjestruar dhe viktimat në njerëz do të jenë të pashmangshme.