Politikanët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm kosovarë, për një grusht parash të pista apo për ndonjë interes tjetër edhe më të pistë, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe në kundërshtim me moralin, i kidnapuan dhe ekstraduan 6 shtetas turq një shteti dhe regjimi që i ndjek kundërshtarët politikë duke mos u garantuar as trajtim të drejtë e as gjykim të drejtë.
Kështu thuhet në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut pas depërtimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi, nën akuzat se janë pjesë e rrjetit FETO.
KMDLNJ thotë se Kosova duhet ta ruajë neutralitetin në luftën e shpallur Erdogan – Gylen dhe nuk mund të jetë më parimore dhe më e mençur se shtetet evropiane dhe SHBA të cilat, përkundër kërkesës së vazhdueshme për ekstradim, nuk e ka ekstraduar as edhe një person të vetëm përfshirë këtu edhe Fetullah Gylen, kokën e të cilit po e kërkon Erdogan.
Reagimi i plotë:
Si gjuetar i atyre që nuk mendojnë si Ju apo që e kanë guximin t’ju kundërshtojnë e që keni dëshirë ta bëni listën me emra dhe mbiemra me të cilët pastaj merren hetuesit e shërbimit sekret të shtetit tuaj , në bashkëpunim me shërbimet vasale të shtetit që e konsideroni si trashëgimi të Perandorisë Otomane në kohën kur politikanët pakurrizorë i konsideroni si jeniçerë të tredhur nga çdo përgjegjësi njerëzore , kombëtare dhe morale kurse për atë politike as që mund të flasim po ju drejtohem me këtë reagim publik.
Për informatën tuaj jam Behxhet Sh.Shala , njëri ndër drejtuesit e organizatës së parë për të drejtat e njeriut në Kosovë( e themeluar më 14.12.1998). Deri më sot , me njëqindmijë probleme kemi punuar dhe për punën tonë jemi përndjekur ; nga keqtrajtimet , te arrestimet e deri te mbytjet nën torturë nga ata që ju aq shumë i përkrahni sot politikisht e sidomos materialisht , nga Serbia e Vuçiqit që me asgjë nuk dallon nga Serbia e Millosheviqit , sa i përket çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve.
Si organizatë për të drejtat e njeriut kemi kërkuar që Kosova ta ruaj neutralitetin në qërimin e hesapeve midis Juve që keni për qëllim ta merrni vendin e themeluesit të Turqisë moderne , z.Kemal Ataturk por që kurrë nuk do të arrini ta zëni vendin e tij , as në historinë e shtetit turk e as në zemrat e popullit turk. Për Kosovën është e papranueshme dhe e palejushme të radhitet në njërën anë në një konflikt siç është ai midis Erdoganit dhe Gylenit e që më së shumti e dëmton vet Turqinë dhe perspektivën evropiane të saj.
Me forcimin e autokarcisë në Turqi që e bartë emrin Tuaj dhe synimin që këtë autoritarizëm në vendim marrje ta zbatoni edhe në Kosovë përmes figuarave të shpërfytyruara të politikanëve të korruptuar njerëzisht , politikisht , kombëtarisht , moralisht e sidomos materialisht e keni kaluar vijën e kuqe duke ndërhyrë në mënyrën flagrante në punët e brendshme të një shteti të cilin , më shumë se 100 shtete ( edhe Turqia) e kanë njohur si të pavarur dhe sovrane , duke vendosur marëdhënie diplomatike e që janë detyruese në zbatimin e raporteve midis dy shteteve e që me një fjalë nënkuptojnë që shtetet mund dhe duhen të bashkëpunojnë për interesat e tyre të ndryshme , pa ndërhyrë në punët e brendshme të atyre shteteve apo thënë me një fjalorë diplomatik duhet t’i përmbahen parimit të reciprocitetit .
Përmes ish- ministrit për Punë të Jashtme , z.Davutogllu keni bërë përpjekje që të ndryshohen librat e historisë dhe të tjera ku okupimi dhunues , ç’kombëtarizues dhe terrorizues 500 vjeçar i Perandorisë Otomane paraqitet si bashkëjetesë dhe vetem se nuk e keni thënë se në atë kohë të okupimit të egër nga paraardhësit tuaj , shqiptarët paskanë qenë të lirë dhe se paskanë përparuar në çdo pikëpamje. Natyrisht se ka qenë krejtësisht e kundërta.
Keni ndërhyrë në tekstet tona shkollore sepse keni gjetur ministra si Buja, Bajrami dhe Hoxhaj që u janë nënshtruar , pa asnjë kusht e që i keni pasur në grusht dhe që disa i keni edhe sot pengje të Davutogllut. Mos harroni se fëmijët e këtyre ministrave por edhe të politikanëve me të lartë në Kosovë , duke filluar nga Vëllau i Juaj në Kosovë i kanë shkolluar fëmijët në shkollat dhe kolegjet Gjylistan dhe Mehmet Akif e që janë pjesë e rrjetit arsimorë të ndërtuar në tërë botën nga , dikur inspiruesi i Juaj e tash armiku , Fetullah Gylen . Sigurisht se fëmijët e politikanëve kosovarë , si të varfër që janë , janë shkolluar me bursat e këtyre shkollave dhe kolegjeve , pa e shpenzuar as edhe një cent të vetëm. Dhe kanë marrë vlerësime maksimale në saje të prindërve të pushtetshëm përjashtuar raste të rralla. Keni kërkuar që Heroin Kombëtar , Gjergj Kastriotin – Skënderbeun ta shpërfytyrojnë duke e portretizuar thuaja si gylenistët e sotit , si terrorist .
Deri te përpjekja për grusht shtet edhe ju jeni krenuar me sistemin arsimorë të Turqisë në Kosovë.Tash , këta profesorë dhe arsimtarë po i cilësoni si terroristë dhe po kërkoni arrestimin dhe ekstradimin e tyre në Turqi sikur edhe mbylljen e shkollave dhe kolegjeve të Gylenit , për t’i zëvendësuar me shkollat dhe kolegjet e Erdoganit. E parealizueshme!
Keni ndërtuar një sistem paralel shëndetësorë duke e margjinalizuar shërbimin shëndetësorë publik me ndihmën e politikanëve të korruptuar dhe të kriminalizuar kosovarë. Bazën e këtyre zhvillimeve e keni vendosur në Shkup (Maqedoni) kurse në Kosovë rekrutoni pacientë për në Shkup dhe Turqi . Nuk po e ekstradoni në Kosovë “Frankeshtajnin turk” , dr.Somnez i cili , me disa kriminelë nga Izraeli dhe Kosova e futen Kosovën në listën e zezë të shteteve ku bëhet trafikimi dhe transplantimi ilegal i organeve . Pastaj mjekët turq që kanë punuar me vite të tëra në Kosovë po i shpallni terroristë sepse qenkan me Gylenin. Çmendi ordinere!
Në planin e ndihmës ekonomike për zhvillimin e Kosovës keni zbatuar standarde të dyfishta ; deri sa në Serbi keni investuar miliarda euro për projekte konkrete që e zhvillojnë Serbinë , në Kosovë , kryesisht keni investuar në ndërtimin dhe riparimin e xhamive dhe konservimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Perandorisë Otomane . Përmes “ Vëllezërisë Myslimane “ e keni forcuar radikalizmin islamikë në Kosovë duke rritur numrin e kosovarëve që kanë luftuar për ISIS –in dhe Al Nusra. Turqia ka shërbyer si vend transit për të shkuar në Irak dhe Siri . Dhe, ndonjë cent të mbetur keni ndarë për të ndihmuar jetimët në Kosovë dhe për të korruptuar politikanë e “ varfër “ dhe të pandërgjegjshëm kosovarë.
I keni privatizuar me çmime poshtëruese të gjitha asetet kryesore , më fitimprurëse në Kosovë dhe keni siguruar biznese miliarda euro ( ndërtimi i autostradave ) në mënyrë krejtësisht jotransparente dhe me çmime që as Eion Musk nuk do t’i ketë në ndonjë planet tjetër . E keni formuar KEDS –in e kriminalizuar përmes një privatizimi kriminal duke i rrjepur qytetarët e Kosovës dhe duke i favorizuar serbët e Veriut për të cilët na detyroni që t’ua paguajmë faturat e tyre . Nuk dëshironi të integroheni në sistemin fiskal të Kosovës sepse konsumatorët i detyroni të paguajnë shërbimet vetem me para të gatshme e jo me kartela bankare siç veprohet në të gjithë botën.
Në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” keni standarde të dyfishta ; mallin që vjen nga perëndimi e kontrolloni në detaje kurse dërgesat nga dhe për në Turqi i trajtoni me një procedurë tjetër. Së fundi , me ekstradimin kriminal të gjashtë (6) qytetarëve turq të Kosovës me lejeqëndrim dhe leje pune të rregulltë e futët edhe këtë aeroport që bartë emrin e një heroi kombëtar , Sakrifkues të Paimagjinueshëm për Liri siç ishte Adem Jashari , në mesin e atyre aeroporteve që merren me trafikim dhe kontrabandim të qenieve njerëzore e që dënohen me të gjitha ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare , në rastin konkret e që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës , ekstradimin e intelektualëve të prangosur dhe kundërshtarëve politikë të Erdoganit, me kërkesen e autokratit Rexhep Taip Erdogan.
A ka diçka më të turpshme se pamjet e intelektualëve të prangosur që ekstradohen përkundër të gjitha ligjeve dhe të drejtave të njeriut, përmes aeroportit “Adem Jashari” , nën shoqërim të policëve të Kosovës. Mbase edhe të Turqisë . Kush e di se me ç’farë petku kanë qenë të veshur . Për një popull që vet ka qenë i deportuar për shkak të mosbindjes politike dhe për një vend që ka qenë thuaja i spastruar etnikisht , a ka turp më i madh se që ia bënë politikanët e papërgjegjshëm kosovarë dhe Patroni i tyre , Rexhep Taip Erdogan.
Kohë më parë për shkak të një shkrimi i përshkruar me humor dhe sarkazëm u anatemua dhe u kërcënua me jetë edhe Berat Buzhala . Nga Rexhep Taip Erdogan.
Në luftën e shpallur , urbi et orbi kundër Gylenit dhe atyre që nuk pajtohen me autokracinë e Erdoganit u arrestua në Prizren shtetasi turk , z.Ugur Toksoy , me leje qëndrimi të rregullt sikur edhe me leje pune . U mbajt në burg , pati përpjekje për ekstradim por , pas një reagimi të opinionit u lirua me dorëzani . Në atë kohë KMDLNj pati reaguar menjëherë duke kundërshtuar vendosmërisht ekstradimin e tij me arsyetim se nëse ekstradohet në Turqi do t’i nënshtrohet trajtimit dhe gjykimit të padrejtë . KMDLNj e pati vizituar të arrestuarin sikur që e ka takuar një delegacion të Gylistanit dhe Mehmet Akif të cilëve u ka siguruar se në rrethanat ekzistuese nuk do të ekstradohet i arrestuari. Këtë rast e kemi trajtuar ekskluzivisht nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe kemi pasur të drejtë . Nuk na ka interesuar e as që na intereson lufta midis Erdoganit dhe Gylenit.
Në ndërkohë , prokurori i shtetit të Turqisë, në takim me autoritetet e drejtësisë kosovare ka dorëzuar listën e personave që duhet të arrestohen dhe të ekstradohen në Turqi , si përkrahës të grusht shtetit të dështuar, mirëpo , kjo kërkesë ka mbetur jashtë informimit të opinonit në ndërkohë që është krijuar rrjeti i brendshëm për arrestim dhe ekstradim të rrufeshëm , i përbërë nga Agjencioni i Inteligjencës së Kosovës, Shërbimi i Inteligjencës Turke në Kosovë që ka operuar lirshëm, Ambasada e Turqisë në Kosovë , Aeroporti “ Adem Jashari “ dhe disa politikanë të korruptuar dhe të papërgjegjshëm kosovarë.
Shtetasit turq që kanë punuar dhe jetuar për shumë vite në Kosovë , të gjithë intelektualë dhe pa të kaluar kriminale , janë kidnapuar në rrugë apo shtëpi , janë mbajtur në lokacione sekrete dhe janë ekstraduar me shpejtësi të rrufeshme duke i dhunuar ligjet e vendit , konventat dhe dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur edhe Kushtetutën e Kosovës .
Nëse, në rrethanat të rrezikimit të jetës gjatë luftës së dytë botërore shqiptarët kanë refuzuar t’ua dorëzojnë gjermanëve hebrenjtë që ndiqeshin në çdo vend dhe në çdo kohë e për çka edhe sot e kësaj dite mburren , me të drejtë plotësisht , sot , politikanët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm kosovarë , për një grusht parash të pista apo për ndonjë interes tjetër edhe më të pistë , në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe në kundërshtim me moralin , i kidnapuan dhe ekstraduan gjashtë shtetas turq një shteti dhe regjimi që i ndjekë kundërshtarët politikë duke mos u garantuar as trajtim të drejtë e as gjykim të drejtë !
Kosova që ka synim integrimin në NATO dhe BE , ku të drejtat e njeriut paraqesin vlerë përcaktuese për përkrahje , me këtë shkelje flagrante të drejtave të njeriut , ia ka mbyllur vetes dyert e integrimit për një kohë të gjatë .
Për këtë Kosova do të paguaj çmim të lartë , politik dhe material. Këtë sjellje jonormale të disa politikanëve , që në njërën anë deklarohen për demokraci dhe të drejtat e njeriut kurse në anën tjetër krijojnë kaos dhe anarki nuk ka si të interpretohet përveç se një sabotim të qëllimshëm dhe të planifikuar .
Pas këtij kidnapimi dhe ekstardimi arbitrar , presidenti i Turqisë , Rexhep Taip Erdogan e sulmoi brutalisht edhe kryeministrin e Kosovës , z. Ramush Haradinaj shkaku se paska liruar ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI –së sikur që paska pritur edhe një delegacion të familjarëve të gylenistëve të kidnapuar dhe të ekstraduar. Në anën tjetër e lavdëroi botërisht presidentin e Kosovës , z. Thaçi për bashkëpunim në zbatimin e këtij krimi kundër të drejtave të njeriut . Me këtë e pranoi se Turqia ka ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Kosovës , rolin e Agjencisë turke të inteligjencës që ka vepruar lirshëm në Kosovë dhe rolin e presidentit Thaçi. Presidenti Erdogan , duke e konsideruar Kosovën si vilajet të Turqisë kërkoi që kryeministri Haradinaj të rrëzohet dhe sigurisht edhe t’i dorëzohet Turqisë , sikur të ishte dora e djathtë e Gylenit . Kryeministrit Haradinaj nuk i takon ta mbrojë veten nga Erdogani dh e erdoganistët institucionalë kosovarë por duhet të ketë përkrahje dhe mbrojtje shtetërore e që duket se nuk e ka në masë të mjaftueshme . Mbrojtjen e ka nga AAK si dhe një mbrojtje të butë nga kryeparlamentari , z. Kadri Veseli. Nëse ndaj Kosovës ëdhtë bërë një sulm dhe ndërhyrje e paskrupullt e një shteti tjetër , i ndihmuar nga strukturat e korruptuara vendore , mbrojtja e z. Haradinaj duhet të jetë shumë më e fuqishme , më e vendosur aq më parë që po sulmohet nga ideatori i këtij grusht shteti ndaj Kosovës. Duhet të bëhet e qartë se këtij hetimi duhet t’i shkohet deri në fund dhe në këtë kontekst roli i opozitës dhe shoqërisë civile duhet të jetë përcaktues . Një shtet normal dhe i pavarur , në rastin konkret do ta thirrte ambasadorin e Turqisë duke e shpallur persona non grata ( person i padëshiruar ) duke i dhënë afat prej 48 orëve për ta lëshuar Kosovën sikur që do ta kthente ambasadorin e Kosovës në Turqi në Kosovë , për konsultime . Këtë nuk mund ta bëjnë ata që kanë qenë bashkëpjesëmarrës në këtë krim kundër të drejtave të njeriut . Gjithashtu , do të duhej t’i dorëzohej Turqisë një notë proteste për rolin e saj ndërhyrës në punët e brenshme të një shteti të pavarur sikur edhe për kërcënimet që ia bënë Erdogani kryeministrit të Kosovës dhe vet Kosovës. Nuk mbahet mend një ndërhyrje aq e paskrupullt sikur që e ka bërë Turqia ndaj Kosovës.
Konsorciumit turk që e menaxhon aeroportin “ Adem Jashari “ duhet t’i merret leja e punës për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale dhe për këtë duhet të informohen të gjitha gjykatat e arbitrazhit në rast të një padie eventuale të kësaj korporate kriminale. Ligjërisht është e lejuar të konfiskohet aseti me të cilin kryhen aktivitete kriminale e rasti i aeroportit të Prishtinë është rast eklatant i aktiviteteve kriminale siç janë trafikimi me qenie njerëzore dhe ekstradimi i kundërligjshëm.
Duhet të të hetohen dhe nxirren para organeve të drejtësisë planifikuesit dhe urdhërdhënësit politikë kosovarë të këtij skandali që e kanë dëmtuar shumë Kosovën.
Duhet të hetohen bizneset e kompanive dhe korporatve turke në Kosovë , që nga mënyra si i kanë fituar tenderët ( krejtësisht në mënyrë jotransparente ) dhe sa i kanë plotësuar detyrimet sipas kontratës së nënshkruar.
Qeveria e Kosovës duhet t’u kërkojë falje publike familjeve të turqve të kidnapuar dhe të ekstraduar kundërligjshëm dhe të kërkojë garanci nga Turqia për trajtim të drejtë të tyre dhe trajtim jodiskriminues gjatë hetimeve dhe gjykimeve eventuale. Këtë e ka detyrim moral dhe jo vetëm moral sepse mbanë përgjegjësi për kidnapimin e tyre sikur edhe ekstardimin kundërligjorë dhe shkelje flagrante të drejtave të njeriut .
Jam i sigurt se shtetasit turq të ekstraduar kundërligjshëm , kur të krijohen kushtet dhe rrethanat do ta padisin shtetin e Kosovës në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasbur dhe , pa asnjë dyshim do ta fitojnë rastin edhe nëse dëshmohet se kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme. Veprimtaria e kundërligjshme nuk nënkupton se mund të ekstradoheni pa i shterrur të gjitha të drejtat juridike , si për shtetin që e bënë ekstradimin ashtu edhe për personin apo personat që duhet të ekstradohen.
Edhe kriminelët më të mëdhenj dhe më të rrezikshëm në botë , pavarësisht se kanë qenë përgjegjës për qindramijëra dhe milionë vikrtima në njerëz , nuk janë trajtuar më keq , nga aspekti i të drejtave të njeriut se gylenistët e kidnapuar dhe ekstraduar . Kosova duhet ta ruaj neutralitetin në luftën e shpallur Erdogan – Gylen dhe nuk mund të jetë më parimore dhe më e mençur se shtetet europiane dhe SHBA të cilat , përkundër kërkesës së vazhdueshme për ekstradim , nuk e ka ekstraduar as edhe një person të vetëm përfshirë këtu edhe Fetullah Gylen , kokën e të cilit po e kërkon Erdogani.
Në rastin konkret jam në anën e gjashtë turqve të kidnapuar dhe të ekstraduar që janë mbajtur në lokacione sekrete dhe pa pasur mundësi të kontaktojnë me mbrojtësit e tyre , me familjarët e tyre dhe me organizatat për të drejtat e njeriut .
Me një fjalë , kanë qenë të privuar nga të drejtat elementare të njeriut . Po nënshkruhem me emër dhe mbiemër që nënkupton që marrë përgjegjësi të plotë dhe pasojat e mundshme eventuale aq më parë që të premten , më 30 mars në adresë elektronike të KMDLNj –së ka ardhur një e-mail më këtë përmabjtje : “ You should be ashamed of your self for opposing the deportatio of those six terrorist Turks national from Gullen terrorist organisation . Your big sister ( Turkey ) is ëorking to protect both : Turkey and Kosovo “….
E keni gabuar adresën e kërcënimit , jazëk ju qoftë , ju kriminelë kundër fjalës së lirë dhe demokracisë sikur edhe armiq të Turqisë dhe popullit turk. Nuk na duhet mbrojtja e juaj!