Sipas analistëve Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Isa Mustafa gjatë tërë vitit 2015 nuk u morr me probleme konkrete të qytetarëve, por u mbyt nga krizat politike në vend, të cilat jo rrallë u shkaktuan nga veprimet direkte të qeveritarëve. As për vitin tjetër, 2016, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se diçka do të ndryshojë për mirë.
“Qeveria ishte humbëse e madhe në 2015 dhe kishte mungesë të kreativitetit”, “koalicioni PDK-LDK mund të quhet si koalicion i ekzistencës”, kurse “kryeministri Isa Mustafa kryesisht është marrë me menaxhimin e krizave, disa nga të cilat të shkaktuara nga veprimet e tij”.
Këto janë opinionet e analistëve dhe njohësve të çështjeve politike në Kosovë për vitin e parë të Qeverisë së Kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi.
Me pak dallime në formulime, analistët pajtohen se viti që po shkon ishte 365 ditësh pa të arritura konkrete dhe i përcjellur me shumë kriza.
Analisti Dukagjin Gorani thotë se Qeveria e Mustafës, pos “humbëse e madhe”, në vitin e saj të parë ishte edhe pakredibilitet dhe me legjitimitet të cunguar.
“Qeveria ishte humbëse e madhe në 2015. Ajo e hapi vitin me kredibilitet të dëmtuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe e përfundoi me legjitimitet të humbur nga një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese”.
“Ç’prej fillimit të vitit, koalicioni u përball me sulme dhe kritika të pareshtura të cilat kohë pas kohe ia lëshonin vendin vetëm debakleve diplomatike, çfarë ishte dështimi i anëtarësimit në UNESCO”, tha Gorani.
“Në aspektin zhvillimor ishte qeveri e status-quosë – e mirëmbajtjes së gjendjes së rëndë dhe e mungesës së kreativitetit”, pohon Gorani. “Në atë të jashtëm radhiti vetëm dështime dhe huqje që kulmuan me mungesë të rekomandimit për liberalizim të regjimit të vizave edhe për periudhën që vjen”, kurse “në kontekstin e brendshëm ishte dhe mbeti një ‘martesë interesi’ mes dy partive tradicionalisht rivale dhe, shpeshherë, armiqësore – të fiksuara pas mbijetesës dhe pushtetit”.
Për cenet e Qeverisë gjatë vitit 2015 ka folur edhe analisti Imer Mushkolaj.
Ai dështimet e Ekzekutivit të udhëhequr nga Isa Mustafa, i sheh edhe të pamundësia e kanalizimit të problemeve dhe shpenzimi i forcave vetëm në krizat ditore politike.
“Koalicioni qeverisës nuk ka arritur që të realizojë programin qeverisës të paraparë”, thotë Mushkolaj për Klan Kosovën. “Gjatë gjithë vitit, kryeministri Isa Mustafa më tepër është marrë me menaxhimin e krizave, disa nga të cilat të shkaktuara nga veprimet e tij, sesa me zbatimin në praktikë të programit qeverisës”.
Sipas Mushkolajt “vitin e parë të qeverisjes së Mustafës e kanë karakterizuar protesta e bllokada, duke bërë që gjithë energjia të kanalizohet në zgjidhjen e tyre, e jo në marrjen e veprimeve që do të përmirësonin jetën e qytetarëve”.
Mushkolaj pohon se viti që lamë pas nuk mund të cilësohet si një vit pozitiv, “përkundrazi”, “përjashto disa lëvizje të vogla pozitive”.
Ndërsa për publicistin Bajrush Morina, koalicioni i partive me numrin më të madh të deputetëve, madhësinë e numrave asnjëherë nuk arriti ta përkthejë edhe në fuqi politike.
“Koalicioni PDK-LDK ka funksionuar më shumë në bazë të argumentit të numrave se sa të arsyes së argumentuar, Ky koalicion është quajtur koalicion i shumicës së numrave, por që nuk ka prodhuar shumësinë e efektit në menaxhimin e shtetit”, tha Morina.
“Si i tillë duke u mbështetur vetëm në numra, nuk ka arritur që këta numra t’i implementojë gjithmonë në fuqi politike dhe ekzekutive”.
Ai tha se Qeveria qysh nga fillimi e deri në fund u përballë vetëm me greva e protesta, ndërsa shtoi se sukses i Mustafa-Thaçi mund të cilësohet thjesht mbijetesa e tyre.
“Partnerët e koalicionit kanë treguar mirëkuptim dhe respekt reciprok që i ka mundësuar ekzistencën dhe vazhdimësinë e këtij koalicioni. Me një fjalë, koalicioni PDK-LDK mund të quhet si koalicion i ekzistencës”.
Pak besim ka se viti i ri do t’i zhdukë problemet e vjetra, dhe se do ta përmirësojë kualitetin e dyshes që udhëheqë Qeverinë.
“Nuk shoh se viti që vjen do të jetë më i suksesshëm”, pohoi Gorani.