Në vend të urimit për 26-vjetorin e themelimit të LDK-së
Shkruan: Lutfi Haziri
Kosova dhe populli i saj kanë kaluar nëpër shumë sfida, me sukses. Shpeshherë, ka pasur hamendje. Disa janë hamendur edhe me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën kur kërkonte protektorat ndërkombëtar deri në Pavarësinë e Kosovës në miqësi të përherëshme me SHBA-të. E ne, e kemi jetuar në realitet këtë kërkese dhe qëndrim politik të Presidentit Rugova. Filozofia politike e Rugovës ka pasë për bazë marrëdhënëniet bashkëpunuese ndërmjet palëve dhe ka ngritur çështjet politike si çështje të dialogut, mirëbesimit, respektimit të ndërsjelltë, dhe mbi të gjitha, ballafaqimit faktik jtë argumenteve. Kjo ishte filozofia politike e Rugovës që tanimë njihet si rugovizëm.
Edhe në këtë fazë të shtetndërtimit, kur Kosova po ballafaqohet me një proces të rendësishëm të drejtësisë ndërkombëtare si dhe me dialogun me Serbinë të ndërmjetësur nga BE, i cili është përkrahur fuqishëm nga aleatët tanë nëpër botë, e veçanërisht edhe nga SHBA-të, disa janë hamendur! Jam i bindur se do të vije koha, dhe atë në një të ardhme të shkurtër, që këta që janë hamendur sot, do të reflektojnë dhe do të shohin se sa e udhës ka qenë edhe ky proces për Kosovën, i cili shërben që në të ardhmen të ndodhë pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por veç pasi Serbia të kërkoj falje për tmerrin që ua ka shkaktuar shqiptarëve të ish-Jugosllavisë!
Edhe ky procesi i fundit, sikur edhe shumë procese tjera historike për Kosovën, kanë pasur përkrahjen e parezervë të miqëve tanë ndërkombëtarë, e veçanërisht SHBA-ve. Të paramendojmë për një minutë se ku do të ishte Kosova pa përkrahjen e SHBA-ve dhe aleatëve tjerë? Nuk do të ishte fare. Pra, vështirë se do të kishte Kosovë, e aq më pak një shtet të ri, demokratik, e sovran.
Kosova ka patur dhe vazhdon të ketë nevojë për miq ndërkombëtar. Procesi ynë i shtetndërtimit nuk mund të konsiderohet as si e arritur krjetësisht e jona. Aty kanë luajtur dhe po luajnë rol të pazëvendësueshëm miqtë tanë ndërkombëtar. Mirëpo, në këtë proces të shtetndërtimit të Kosovës, edhe në atë paraprak të çlirimit, një meritë të pazëvendësueshme e ka populli i Kosovës dhe klasa politike e këtij vendi. Realisht, merita në aspektin filozofik dhe politik i takon rugovizmit. Sepse, ishte rugovizmi si filozofi politike që ne ndoqëm gjatë procesit të sensibilitizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës, procesit të çlirimit, dhe fazës fillestare të shtetndërtimit gjatë protektoratit ndërkombëtar.
Paramendoni se ku do të ishte Kosova sot sikur filozofia politike e klasës sonë politike të ishte çkado tjetër pos asaj rugoviste? Paramendoni se ku do të ishte Kosova sot sikur të mos kishim punuar me vetmohim në sensibilizimin e çështjes sonë nëpër botë, duke krijuar kështu miqësi të vlefshme me SHBA-të dhe europianët? Ku do të ishte Kosova sikur gjatë luftës ne të ishim jobashkëpunues apo sikur Rugova të mos pranonte konsensuse të mëdha e pse jo edhe të dhimbshme për atëbotë, që të tjerët dhe jo ai, të kryesonin delegacionin nacional të Kosovës në procesin e Rambujesë ose në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës menjëherë pas luftës?
Rugovizmi neve na ka shpëtuar. Përfundimisht, pa të – pra, pa frymën bashkëpunuese e toleruese të Rugovës dhe urtësisë së tij politike – është e paimagjinueshme se ku do të ishte Kosova sot!
E tash, ku jemi tash? Duket se klasa jonë politike ka ardhur në një pikë kritike të zhvillimit të vet. Sot kemi një shtet të pavarur, një pluralizëm partiak, një demokraci të re, por fatkeqësisht, edhe një frymë mosbashkëpunimi të skajshëm që ka sjellë paralizim të panevojshëm të institucionit më të lartë në vend – Parlamentit. Kuvendi i Kosovës nuk është dhe nuk duhet të jetë arenë gladiatorësh modern e të sofistikuar që në vend të shpatave e harqeve, përdorin gazin lotsjellës, shishet e ujit, dhe gjuhën denigruese.
Prandaj, ne duhet ta bëjmë një pyetje të rëndësishme politike: a jemi për neo-rugovizëm apo post-rugovizëm. Sepse, rugovizmin tanimë e kemi parë, përjetuar, dhe implementuar. Në këtë kohë të re, neve si klasë politike të paktën, na duhet të zgjedhim në mes vazhdimit të rugovizmit, por në kushte të reja, që do ta quaj neo-rugovizëm, apo rrugën tjetër politike karakterin e së cilës e kemi parë së fundi në Kuvendin e Kosovës, që do ta quaja post-rugovizëm.
Me neo-rugovizëm, ne mund t’ia dalim mbarë përsëri, sepse me rugovizëm erdhëm deri këtu – përkundër shumë sfidave dhe proceseve të dhimbshme që i kemi kaluar bashkë. Me post-rugovizëm, apo duke anashkaluar rugovizmin, ne rrezikojmë të thellojmë mosmarrëveshjet dhe të stopojmë apo prolongojmë paarsyeshëm zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë.
Se cilën rrugë të filozofisë politike ne do zgjedhim, do të jetë përcaktuese edhe për zhvillimin tonë si vend i ri, jo veç në sferën politike e shoqërore, por veçansrisht edhe në atë ekonomike. Pa miq nëpër botë, është vështirë që një vend i vogël e i ri si Kosova të bëhet i njohur ndërkombëtarisht në sferën e biznesit dhe investimeve kapitale. Si Gjilanit ashtu edhe Kosovës, i duhet të avancojë ndërlidhjet institucionale me akterë të rendësishëm qeveritarë, ndërqeveritarë, por edhe joqeveritarë e profesional nëpër botë.
Qeverisja në këtë kohë të globalizimit, qoftë lokale apo nacionale, është e obliguar të ndërlidhë akterët relevantë në të gjitha sferat e mundëshme për realizimin e njërit nga qëllimet madhore të vendit tonë – si psh. zhvillimi ekonomik. Këta akterë relevantë mund të jenë brenda, por kryesisht edhe jashtë vendit tonë. Prandaj, ne përfundimisht, kemi nevojë për miq nëpër gjithë botën, e veçanërisht nëpër shtetet mike! Vetëm përmes së krijimit të këtyre ndërlidhjeve, ne do të mund të vëjmë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit tonë resurset që ne kemi, dhe zhvillimi ekonomik do na sjellë zhvillim të gjithëmbarshëm. Me miq nëpër botë, Kosova do ta tejkalojë edhe këtë sfidë. Prandaj, filozofia jonë politike duket të mos ketë alteranativë më të mirë, pos një rugovizmi të ri, neo-rugovizmi. E me neo-rugovizëm, po, patjetër, se do ta kalojmë edhe këtë sfidë – me sukses!
Autori është kryetar i Komunës së Gjilanit si dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës