Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare kanë kërkuar nga prokurorët të heqin frikën dhe të mos kursejnë askënd që kryen vepër penale, posaçërisht të korruptuarit.
Këto komente ata i bënë gjatë konferencës së prokurorëve, ku do të mbahen zgjedhjet për anëtarë të Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e prokurorëve.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se shoqëria jonë është lodhur nga korrupsioni, dhe sipas saj, institucionet nuk kanë vepruar siç duhet, prandaj është koha të përfundohet ky cikël i frikës dhe mosndëshkimit.
Jahjaga tha se kanë kërkuar reforma në drejtësi sepse kjo është garanci në zhvillim dhe integrim.
“Ne jemi lodhur si shoqëri nga shkalla e lartë e korrupsionit. Ne kemi dëmtuar funksionimin e shtetit me politikat e mosndëshkimit të të gjithë atyre që janë përfshirë në afera korruptive. Ne kemi goditur jo vetëm imazhin në skenën ndërkombëtare me këtë shkallë të perceptimit për korrupsionin. Dhe sërish nuk kemi vepruar aq dhe ashtu si duhet . Sot nuk është koha për të shprehur me fjalë përkushtimin për luftën kundër korrupsionit. Sot është koha që, për hir të mirëqenies së qytetarëve dhe për hir të bërjes së shtetit të Kosovës, ta gjejmë forcën dhe guximin e ta përfundojmë këtë cikël të frikës dhe të mosndëshkimit. Sot është koha ta bëjmë Kosovën vend të pakorruptuar”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi nuk mund të lejojmë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë të sfidohen nga grupe ekstremiste dhe radikale.
“Ne nuk mund të shndërrohemi në strehë të asnjë grupi ekstremist dhe prandaj jemi bërë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi. Por, beteja jonë është edhe e brendshme, për të ndihmuar të gjithë të rinjtë e të rejat tona, që të mos bien pre e ekstremizmit fetar”, ka thënë Jahjaga.
Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, duke përmendur të dhënat e raportin të fundit t UNDP-së që mat percepsionin e opinionit, sipas të cilit del se 43 për qind të gjykatave vuajnë nga korrupsioni, enorm, ai tha gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë në qendër të kritikave.
Delawie duke përmendur seancat e gazit në Kuvendin e Kosovës, kërkoi nga drejtësia kosovare ta zbatojë ligjin kundrejt çdonjërit që shkel ligjin.
“Luftimi i korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit vazhdon të jetë sfidë serioze. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë në qendër të kritikave viteve të fundit për vite të tëra. Tash për tash percepcioni publik është negativ… Studimi i UNDP-së ka nxjerr si përfundim se korrupsioni është një ndër tre problemet më të mëdha për qytetarët e Kosovës. 43 për qind e respondentëve thanë se gjykatat vuajnë nga korrupsioni në shkallë të madhe… Ata kanë zgjedhur gazin lotsjellës, por Kuvendi nuk është arenë e armëve. Më lejoni të jem i q artë, deputetët kanë çdo të drejtë të jenë zëri i atyre që i përfaqësojnë, por edhe ata duhet respektuar ligjin si çdo qytetar. Një sistem drejtësie që privilegjon njerëz të caktuar është i destinuar të dështojë”, tha Delawie.
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar përmendi disa nga sfidat që kanë prokurorët siç janë mungesa e resurseve, vështirësitë në aplikimin e konfiskimeve, mbrojtja e dëshmitarëve dhe lëndët e pazgjidhura.
“Siç tha edhe Z. Kuçi, nëse një kryetar i komune nuke respekton ligjin, ju nuk do ta keni të lehtë punën tuaj”, tha ai në konferencën e prokurorisë.
Zhbogar tha se Bashkimi Evropian do të vazhdoj të përkrah shërbimin prokurorial për të promovuar një shërbim ekfikas dhe të pavarur.
“Pres që prokurorët të fillojnë të flasin për problemet dhe sfidat me të cilat ata përballen në punën e përditshme… Më lejo ni të kërkoj nga ju dhe nga z. Kuçi që të riktheni besimin e qytetarëve në mënyrë që të gjithë ata që e meritojnë për çdo vepër penale të dënohet në Kosovë. Të gjithë kemi folur për korrupsionin dhe krimin e organizuar, tash ka ardhur koha veprojmë”, ka thënë ai.
Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se sfidat që i kanë përball janë reale dhe serioze por duhet të besohet që do të ia dalim.
Ai tha se ajo që kërkohet nga prokurorët është një epokë e re e drejtësisë, prandaj duhet vazhduar së bashku.
Lumezi kërkoi angazhim nga të gjithë prokurorët në mënyrë që të forcohet autoriteti dhe personaliteti, duke ia kthyer besimin qytetarëve në drejtësi.
“Sfidat që kemi përballë janë reale. Ato janë serioze dhe janë të shumta. Ato nuk duhet të kapërcehen më lehtësi apo në një kohë të shpejt, por duhet të besojmë se do t’ia dalim. Ajo që kërkohet nga ne është një epokë e re e përgjegjësisë…. ne e kemi rastin të bëhemi heronj të këtij vendi, duke marr vendime dhe hetime të pavarura me qëllim që asnjë fajtor të mos shpëtojë nga dënimi i mëritura ”, ka thënë ai.
Ai tha se së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, janë duke punuar në ligjin anti-mafia që lejon konfiskimin e pasurisë pa procedura gjyqësore dhe ky ligj u jep shumë mundësi më të mëdha prokurorëve.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se drejtësia mund të arrihet vetëm nëse secili nga ne sakrifikojmë diçka nga ne.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci duke iu drejtuar të pranishmëve në konferencën e prokurorëve ka thënë se nuk mund të luhet ping-pong duhet akuzuar njëri-tjetrin por duhet vepruar sipas dispozitave ligjore që ka secili.
Peci tha se duhet një bashkëpunim më i madh i prokurorëve dhe gjyqtarëve por njëkohësisht duhet të merren masa që efektive që ata të veprojë lirshëm.