Lokalet afër Katedrales të cilat janë rrënuar tash e sa vite për t’u ndërtuar të rejat sipas planit urbanistik të Komunës së Prishtinës, kanë mbetur në gjysmë.
Sipas planit të paraparë ato është dashur të përfundojnë në fillim të vitit 2014, mirëpo deri më tash punimet janë zhvilluar vetëm në anën e kundërt të Katedrales.
E gjithë kjo për shkak se Katedralja deri më tani ka qenë në kontekst gjyqësor me Komunën e Prishtinës, pasi që ajo pretendon se në këtë tokë ku janë të parapara të ndërtohen këto lokale është toka e saj.
E gjithë kjo ka filluar 10 vjet më parë, kur komuna e Prishtinës ia ka dhënë këtë pronë në shfrytëzim Katedrales deri sa ajo të ndërtojë objektin e saj. Tani ajo pretendon se kjo tokë i takon asaj dhe se nuk është tokë komunale.
Megjithatë, gjykata për këtë ka vendosur që ajo pronë i takon Katedrales, gjë që për zyrtarët komunalë është e papranueshme.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky është gjyqi i tretë që po zhvillohet, ku dy herët e para sipas tij këtë gjyq e ka fituar komuna, ndërsa tani në herën e tretë ka fituar Katedralja. Ai theksoi se ky proces nuk përfundon me kaq pasi që ata do ta dërgojnë përsëri në Gjykatën e Apelit.
Një numër i këtyre dyqaneve kanë qenë të pronarëve privat, ndërsa një numër tjetër janë lokale që do u jepen për kompensim pronarëve që iu janë marr pronat në vende të tjera.
Megjithatë, sipas Ahmetit me këta të tjerët nuk është që ka ndonjë obligim ligjor në aspektin kontraktual që komuna tash iu ka borxh, por sipas tij, është një obligim moral sepse i kanë pasur nën shfrytëzim 30 vjet dhe i është premtuar që do iu ruhen interesat e tyre.
I pari i Prishtinës thotë që procesi gjyqësor ka pasur presione të jashtëzakonshme, prandaj ai mendon se zgjidhja duhet të bëhet nga një kompromis mes këtyre palëve.
Për këtë Ahmeti ka thënë se ka ofruar një mundësi që të krijohet një Bord me anë të së cilës nuk mund të hapet asnjë dyqan i dyshimtë, si p.sh bastoret, pa lejen e Katedrales.
Në anën tjetër, të dëmtuara nuk janë vetëm pronarët e këtyre lokaleve, pasi që, dëmtim ka pësuar edhe Ndërmarrja Publike Banesore i cili është investitori kryesor i lokaleve afër katedrales.
Sipas udhëheqësit ekzekutiv të NPB-së, Nexhat Kryeziu, atyre u është shkaktuar dëm për shkak se i është dashur ta paguajnë kontraktorin më shumë për shkak të kohëzgjatjes, por edhe disa dëme të tjera.
Deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo kompromisi përmes bisedimit mes Katedrales dhe Komunës së Prishtinë, afër 80 familje të cilat varen nga bizneset e tyre private do të mbesin ende në pritje siç kanë bërë tash e sa vjet./KP/