Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me projektin “Procon”, të financuar nga Bashkimi Evropian, sot organizon konferencën rajonale për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet.
Sipas MAShT, qëllimi i kësaj konference është prezantimi i rezultateve të projektit “Procon” dhe shkëmbimi i praktikave nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, në fushën e sigurisë së fëmijëve në Internet.
“Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet në Internet, ka për qëllim të sigurojë mbrojtje më të mirë për fëmijët nga rreziqet në internet, përmes vetëdijesimit, fuqizimit dhe aktiviteteve të bashkërenditura të Qeverisë, Shoqërisë Civile dhe Industrisë për marrjen e masave mbrojtëse. Në kuadër të projektit është zhvilluar Strategjia pesë-vjeçare Nacionale për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Rreziqet në Internet. Projekti ka mbështetur edhe zhvillimin e udhëzuesve informativ për fëmijë, mësimdhënës dhe prindër, të cilat janë përdorur si bazë për organizimin e sesioneve informative/vetëdijësuese nëpër shkollat e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MASht dërguar mediave.
Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jetë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, zyrtarë të MAShT, Drejtorive Komunale të Arsimit, mësimdhënës dhe nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës